Përplasja për Vlora Hysenin te “Ligjet”, Manja: Drejtësia të bëjë punën e vetë, politika të sajën
Debati për reformën territoriale është shoqëruar me përplasje të forta politike në Komisionin e Ligjeve, pas lajmit për vendosjen e masës së “arrestit shtëpiak” nga SPAK ndaj kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, kërkoi që Kuvendi të mblidhet për të diskutuar situatën e krijuar, duke argumentuar se zhvillimi prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe kërkon një reagim institucional nga Parlamenti.
“Parlamenti duhet të mblidhet pas arrestimit të kreut të SHISH”, deklaroi Bylykbashi, duke e cilësuar situatën si tepër të rëndë.
Në vijim, deputeti demokrat kritikoi institucionet shtetërore, duke deklaruar se “janë infektuar të gjitha qelizat e shtetit” dhe se “shteti është i krimbur”.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, kërkoi vijimin e punës sipas rendit të ditës, duke mbrojtur veprimet e institucioneve të drejtësisë.
“Të vazhdojnë përpara. Rasti i Vlora Hysenit, funksionim i shtetit ligjor. PD po hedh baltë dhe gurë mbi drejtësinë. T’i japim gjithë suportin që drejtësia të bëjë punën e vetë dhe politika punën e saj”, tha Manja.
Përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës vijuan gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte reforma territoriale dhe situata e krijuar pas masës së SPAK ndaj kreut të SHISH.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.