PHENIAN – Koreja e Veriut teston silurët me IA
PHENIAN, 17 tetor /ATSH-AFP/ – Koreja e Veriut ka testuar një sistem të ri silurësh me drejtim preciz, që përdor inteligjencën artificiale për zbulimin e objektivave dhe drejtimin e armës, njoftuan sot mediet shtetërore.
Testimi vjen në një kohë kur vendi i armatosur me armë bërthamore po shton provat e sistemeve të tij ushtarake.
Sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve (KCNA), testimi nënujor i sistemit të silurëve “Zam-2.0”, të cilët përshkruhen si armë me shpejtësi të lartë, u krye të enjten për të verifikuar përmirësimet teknike.
Agjencia tha se inteligjenca artificiale është integruar në funksionet e zbulimit të objektivave dhe drejtimit të silurit, ndërsa gjatë pesë viteve të fundit janë kryer më shumë se 180 prova të ndryshme.
Analistët vlerësojnë se Koreja e Veriut mund të jetë duke përparuar me shpejtësi në zhvillimin e raketave dhe sistemeve të armëve, me mbështetjen e Rusisë, në këmbim të dërgimit të trupave për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës.
Në fillim të këtij muaji, Pheniani njoftoi gjithashtu testimin e një rakete hipersonike me rreze të mesme veprimi, të lëshuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Silurët janë projektuar për të goditur objektiva armike nën ujë me shpejtësi të lartë.
Sipas ekspertëve, përdorimi i inteligjencës artificiale mund t’i ndihmojë këto armë të kryejnë manovra shmangëse dhe të dallojnë objektivat e vërteta nga ato mashtruese.
Lim Eul-chul, profesor në Universitetin Kyungnam, tha se kjo teknologji mund të vështirësojë përpjekjet e Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara për të devijuar silurët me anë të objektivave mashtruese.
Njoftimi vjen mes intensifikimit të garës së armatimeve mes dy Koreve, veçanërisht në fushën e raketave hipersonike, të cilat udhëtojnë me shpejtësi mbi pesë herë më të madhe se shpejtësia e zërit dhe mund të ndryshojnë trajektoren gjatë fluturimit.
Disa ditë pasi Pheniani njoftoi testimin e raketës së tij, Seuli provoi një mjet hipersonik rrëshqitës, të cilin e cilësoi si një aset strategjik që mund të ndryshojë rrjedhën e betejës.
Koreja e Veriut vuri në dyshim suksesin e provës koreano-jugore, por Seuli i hodhi poshtë pretendimet.
Ndërkohë, po shtohen spekulimet për një takim të mundshëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Un, gjatë turit aziatik të Trumpit muajin e ardhshëm, kur liderët botërorë pritet të mblidhen për samitin e APEC-ut në Kinë.
Analistët mendojnë se Pheniani po përpiqet të paraqitet si më i avancuar se Seuli në garën e armatimeve.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se zhvillimi i silurëve të tillë mbetet teknikisht sfidues, veçanërisht për shkak të zhurmës së madhe që krijojnë nënujorë me shpejtësi të lartë, duke i bërë më të lehtë për t’u zbuluar. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.