Rajoni

Pikat detyruese për Serbinë në Kapitullin 35 ndaj Kosovës

E përditshmja e Beogradit ka zbardhur pikat kyçe të Kapitullit 35, të njohur ndryshe në qarqet zyrtare të Beogradit si Kapitulli për Kosovën.

Që në krye theksohet se BE nuk kërkon nga Serbia njohjen e pavarësisë së Kosovës, as nënshkrimin e ndonjë marrëveshjeje juridikisht të detyrueshme, por thekson se “gracka” më e madhe e platformës së BE-së për fushat e përfshira në Kapitullin 35 është mundësia e ‘ngrirjes’ së hapjes së kapitullit nëse mungon përparimi në marrëdhëniet me Kosovën.

Sipas pozicionit negociues të Brukselit për Kapitullin e Kosovës, të cilin “Novosti” thotë se e ka parë, transmeton Koha.net, nga Serbia nuk kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës, as nënshkrimi i marrëveshjes juridikisht të detyrueshme në përfundim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

“Gracka” më e madhe e platformës së BE-së për fushat nga Kapitulli 35, të hartuara në shtatë faqe, është mundësia e ngrirjes së hapjes të kapitujve të rinj ose të mbylljes së atyre të negociuar, nëse përparimi në normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën ngec kundruall fushave të tjera.

*Kapitulli 35 nuk është zëvendësim për dialogun midis Beogradit e Prishtinës, ndërsa ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Beogradit.

*Serbia është e detyruar të realizojë marrëveshjet që i ka arritur me Kosovën më 25 gusht të vitit 2015 si dhe ato nga prilli i vitit 2013, të cilat kanë të bëjnë me policinë, gjyqësorin dhe mbrojtjen civile.

*Brukseli do të vlerësojë dy herë në vit përparimin e Serbisë në fushat nga ky kapitull.

*Dispozitat kalimtare (benchmark) të këtij kapitulli mund të përshtaten dhe të azhurnohen (përditësohen) gjatë negociatave.

*Nëse përparimi në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën ngecin në shkallë domethënëse në krahasim me negociatat e tjera, edhe nëse Serbia nuk i zbaton marrëveshjet e arritura me Kosovën, Komisioni Europian me iniciativë të vet ose me kërkesë të një të tretës së shteteve anëtare të BE-së, në përputhje me pikën 25 të kornizës negociuese, do të propozojë që të ngrihet hapja e kapitujve të rinj.

Pika të tjera:

*Serbia do të ndërpresë mbështetjen dhe financimin e strukturave serbe, ndërsa administrata komunale do të detyrohet të harmonizohet plotësisht me ligjet e Kosovës.

*Serbia duhet të sigurojë zbatimin e plotë të sistemit juridik të Kosovës në veri.

Rreth Asociacionit:

*Vazhdimin e themelimit të Asociacionit / Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe – AKS-së (nxjerrja e statutit) në përputhje me ligjet e Kosovës dhe me marrëveshjet nga gushti i këtij vitit (2015).
*Të sigurojë transparencë në financimin e AKS-së.

Policia

*Serbia, çdo tre muaj, autoriteteve përkatëse të Kosovës iu raporton mbi pensionet e ish policëve të Serbisë, tash të integruar në Policinë e Kosovës.

Gjyqësori

*Përfundimi i procesit të integrimit të gjyqtarëve në gjyqësorin e Kosovës, si dhe miratimi i dispozitave rreth selisë së gjykatave dhe prokurorive në territorin e juridiksionit.
*Serbia, çdo tre muaj, iu raporton autoriteteve të Kosovës për pensionet e nëpunësve të gjyqësorit, tash të integruar në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Mbrojtja civile

*Serbia miraton dispozita të veçanta për ndërprerjen e dhënies së pagave dhe të financimit të mbrojtjes civile (civilja zashtita) në Kosovë.

Zyrtarët e ndërlidhjes

*Serbia i siguron mbështetjen administrative zyrtarit të vet për ndërlidhje (p.sh. marrjen me qira të hapësirave zyrtare).
*Serbia pranon pamjen vizuale të letërkëmbimit që ende nuk është harmonizuar (vulat, simbolet dhe logon e letrave).

Energjetika

*Themelimi i kompanisë për furnizim (“Elektrosever”) në përputhje me dispozitat e Kosovës.
*Zgjidhja e çështjes së menaxhmentit në hidrosistemit Ujman (“Gazivoda”).

Telekomunikacioni

*“Telekom” hap kompaninë në Kosovë në përputhje me dispozitat e Kosovës, në mënyrë që t’i jepet licenca për telefoni fikse.
*Serbia respekton afatet dhe ndërmerr hapat e dakorduar në procesin paralel të ndarjes së prefiksit (numrit thirrës) për Kosovën dhe dhënies së lejës së përkohshme për telefoninë mobile në Kosovë.

Dogana

*Serbia ndëret dhënien e dokumenteve dhe vërtetimin me shenja që janë në kundërshtim me detyrimet që ka marrë Serbia me Marrëveshjen nga data 17 janar e vitit 2013.

Pikëkalimet kufitare

*Serbia përfundon vendosjen e të gjitha pikëkalimeve kufitare (“Novosti” i quan administrative – sqarim ynë)
*Përmirësimi i kontrollit dhe mbyllja e rrugëve dhe kalimeve alternative për të siguruar shfrytëzimin e vetëm pikëkalimeve zyrtare.

Lëvizja e lirë

*Serbia iu lejon qytetarëve të vendeve të treta hyrjen në Serbi nga Kosova.
*Zbatimi i marrëveshjes mbi targat për banorët e veriut të Kosovës.
*Respektimi i afateve për hapjen e urës mbi Ibër për komunikacion jo më vonë se në qershor të vitit 2016.

Bashkëpunimi rajonal

*Serbia nuk pengon pjesëmarrjen e Kosovës në nismat e tjera rajonale, në përputhje me marrëveshjet e arritura.
*Serbia mbështet hyrjen e përfaqësuesve të Kosovës në organet udhëheqëse dhe në strukturat administrative të organizatave rajonale.

Negociatat e ardhshme

*Serbia mbetet besnike e dialogut me ndërmjetësimin e BE-së, angazhohet për arritjen e marrëveshjeve të reja për tema të tjera, vazhdon normalizimin mbi besimin e mirë, e që gradualisht çon drejt normalizimit gjithëpërfshirës midis SAerbisë e Kosovës, dhe në përputhje me kornizën negociuese.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button