Plagosja e deputetit Hoti, Peleshi: Asnjë formë dhune nuk mund të justifikohet! Bardhi: Neveri, dhuna s’mund të maskohet pas fjalës ‘incident’!
Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka reaguar në lidhje me rastin e deputetit Kliti Hoti që u qëllua me plumb gome gjatë protestës së sotme.
Në një postim në rrjetet sociale, Peleshi shprehet se dhuna nuk mund të justifikohet, teksa nga organet kompetente kërkon hetim të paanshëm dhe transparent.
“Me keqardhje dhe shqetësim mësova për lëndimin e deputetit Kliti Hoti gjatë protestës së sotme në Tiranë. I uroj shërim të shpejtë dhe i shpreh solidaritetin tim të plotë, atij dhe familjes së tij.
Kërkoj nga organet kompetente, një hetim të shpejtë, të paanshëm dhe transparent për rrethanat e këtij incidenti dhe të çdo lëndimi tjetër të sotëm. Nëse ka pasur shkelje, përgjegjësia duhet vendosur sipas ligjit, kushdo qoftë ai që i ka kryer.
E drejta e protestës paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe duhet respektuar. Po ashtu, asnjë formë dhune nuk mund të justifikohet”,shkruan Peleshi në një postim në Facebook.
Por kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i është përgjigjur kreut të Kuvendit, Niko Peleshi pas reagimit të tij për deputetin Kliti Hot që u qëllua me plumb gome në protestën e sotme.
Bardhi e ka cilësuar deklaratën e Peleshit ‘të neveritshme’, duke theksuar se deputeti Kliti Hoti nuk ka qenë pjesë e ndonjë incidenti, por sipas tij u godit pa asnjë shkak nga Policia e Shtetit
Ai shton se Kuvendi nuk mund të jetë strehë për justifikimin e dhunës shtetërore dhe dhuna e ushtruar nga shteti nuk mund të maskohet pas fjalës “incident”.
Deklarata e plotë:
Neveri dhe indinjatë për reagimin e papërgjegjshëm të Kryetarit të Kuvendit ndaj plagosjes së deputetit Kliti Hoti nga Policia e Shtetit!
Së pari, deputeti Kliti Hoti nuk ka qenë pjesë e ndonjë incidenti. Ai është goditur pa asnjë shkak nga Policia e Shtetit, në rrethana që ngrenë dyshime serioze për një akt të qëllimshëm dhune, me pasoja potencialisht fatale. Ta quash këtë një incident është përpjekje për të relativizuar rëndësinë e ngjarjes dhe për të shmangur përgjegjësinë. Kjo nuk është një ngjarje e zakonshme dhe nuk mund të trajtohet si e tillë.
Së dyti, është e papranueshme që Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në vend që të kërkojë transparencë dhe përgjegjësi për veprimet e Policisë së Shtetit, të vërë në diskutim vetë shkeljen e ligjit, duke e paraqitur atë si një çështje opsionale apo si një interpretim që mund të relativizohet.
Ligji nuk është çështje dëshirë. Përballë dhunës policore, detyrimi i çdo institucioni është të kërkojë zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e përgjegjësve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë.
Kuvendi nuk mund të jetë strehë për justifikimin e dhunës shtetërore. Heshtja, relativizimi dhe shmangia e përgjegjësisë institucionale janë po aq të papranueshme sa vetë aktet që kërkojnë hetim.
Përgjegjësia nuk relativizohet. Dhe dhuna e ushtruar nga shteti nuk mund të maskohet pas fjalës “incident”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.