Plani për tërheqjen e forcave amerikane lë në hije stërvitjen e NATO-s
Para goditjes së pandemisë në mars, më shumë se gjashtë mijë ushtarë amerikanë dhe tre mijë pajisje ushtarake kishin mbërritur tashmë në Evropë.
“Një stërvitje e kësaj madhësie ishte akoma e arritshme edhe me pandeminë, pasi të gjitha masat e sigurisë ishin marrë para stërvitjes”, thotë Kapiten Robin Joseph Haake, nga sektori i marrëdhënieve me publikun të Divizionit të 49-të.
Edhe ndërsa forcat e përbashkëta demonstrojnë fuqinë e zjarrit të NATO-s, problemet po rriten brenda aleancës.
Administrata Trump ka kritikuar shpesh Gjermaninë për mos përmbushjen e objektivit të shpenzimeve për mbrojtjen e NATO-s për dy përqind të PBB-së. Presidenti këtë javë njoftoi planet për të tërhequr mijëra trupa të stacionuar përgjithmonë në vend.
“Ne kemi 52’000 ushtarë në Gjermani, kjo është një sasi e jashtëzakonshme ushtarësh, është një kosto e jashtëzakonshme për Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë pasi ju e dini që është shumë e prapambetur në pagesat e saj për NATO-n”, tha Presidenti Trump.
Pentagoni thotë se zakonisht ka rreth 35-mijë trupa amerikane në Gjermani. Në Berlin është thënë se numri do të bjerë në 25 mijë.
“Ne mendojmë se prania amerikane në Gjermani është e rëndësishme për sigurinë jo vetëm të Gjermanisë, por edhe për sigurinë e Shteteve të Bashkuara”, tha Heiko Maas, Ministri i Jashtëm gjerman.
Polonia – e cila gëzon marrëdhënie të mira me Uashingtonin – ka një plan alternativ.
“Shpresoj thellësisht se si rezultat i bisedimeve të shumta që kemi pasur, dhe ngaqë kemi treguar se çfarë partneri i fortë jemi brenda NATO-s, se ajo pjesë e trupave të vendosura sot në Gjermani, të cilat po hiqen nga Shtetet e Bashkuara, do të vijnë realisht në Poloni dhe do të forcojnë krahun lindor të NATO-s”, tha Mateusz Morawiecki, Kryeministri i Polonisë.
Baza amerikane në Stuttgart është gjithashtu selia e Komandës Amerikane të Afrikës, vëren analisti Ian Bond.
“Bazat në Gjermani i shërbejnë një qëllimi jo vetëm jashtë Gjermanisë, por edhe jashtë Evropës. Dhe kjo është diçka që do të ishte një humbje serioze. Por sigurisht, për sa i përket efektit parandalues, roli që ata luajnë brenda NATO-s në aspektin e gatishmërisë së mbrojtjes të NATO-s përballë Rusisë, po, ato janë të rëndësishme, dhe humbja do të ndihet”, thotë zoti Bond, i Qendrës për Reformën Evropiane.
Analistët thonë se ndikimi i plotë nuk do të dihet derisa të sqarohet saktësisht se cili personel ushtarak do të largohet nga Gjermania.