Plisat njoftojnë bashkimin e të gjithë tifogrupeve në përkrahje të krerëve të UÇK-së, të dielën në orën 15:00
Tifogrupi prishtinas njoftoi në orët e mesnatës se tifogrupeve të të gjitha viseve shqiptare do t'i bashkohen protestës në Sheshin Skënderbeu.
Protestat kundër vendimit të Dhomave të Specializuara për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po shkojnë drejt ditës së 11-të, dhe atyre po u bashkohen gjithnjë e më shumë zëra nga e gjithë shoqëria shqiptare. Lajmi i fundit vjen nga tifozët e njohur prishtinas, “Plisat”, të cilët kanë njoftuar se do të dalin masivisht në protestë të dielën.
Përmes një njoftimi të publikuar në orët e mesnatës në faqen e tyre zyrtare, “Plisat” bëjnë të ditur se kanë marrë një vendim të përbashkët me TË GJITHA tifogrupet e trevave shqiptare për t’iu bashkuar protestës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Tifogrupi i kryeqytetit ka shpallur edhe orën e takimit: të gjithë tifozët janë ftuar të mblidhen të dielën në orën 15:00, për t’u bashkuar me protestuesit e tjerë në shesh.
Ky reagim vjen në një kohë kur pakënaqësia ndaj verdiktit të Gjykatës Speciale ka shkaktuar indinjatë të madhe te shqiptarët. Vendimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka shkaktuar protesta të vazhdueshme në Prishtinë, të cilat kanë hyrë në ditën e 11-të.
Bashkimi i të gjitha tifogrupeve shqiptare në një kauzë të përbashkët shihet si një mesazh i fortë uniteti në përkrahje të krerëve të UÇK-së, ndërsa pritet që protesta e së dielës të jetë një nga më masivet e deritanishme.
Burimi: Indeksonline



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.