Policia: Gjashtë zyrtarë të lënduar dhe tre protestues të shoqëruar pas përplasjeve në Prishtinë
Policia e Kosovës ka njoftuar për zhvillimet gjatë protestës së zhvilluar të hënën në mbrëmje pranë institucioneve shtetërore në Prishtinë, ku, sipas saj, janë shënuar incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe zyrtarëve policorë.
Sipas Policisë, gjatë protestës disa pjesëmarrës kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Për shkak të situatës, Policia thotë se ka ndërhyrë disa herë për të parandaluar përshkallëzimin, duke përdorur pajisjet policore, përfshirë gazin lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.
“Policia e Kosovës, me qëllim të vënies së situatës nën kontroll dhe parandalimit të eskalimit të mëtejmë të situatës, është detyruar disa herë të veprojë ndaj protestuesve që kanë shfaqur dhunë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për shkak të situatës së krijuar, në intervale të ndryshme kohore është ndaluar edhe qarkullimi i automjeteve në disa rrugë përreth qendrës së Prishtinës.
Policia ka bërë të ditur se tre persona janë shoqëruar në stacion policor, për shkak të mosrespektimit të thirrjeve për qetësi dhe dyshimeve për veprime në kundërshtim me ligjin.
Sipas Policisë, ndaj tyre veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Ndërkohë, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme si pasojë e hedhjes së mjeteve në drejtim të institucioneve dhe, në disa raste, edhe ndaj policëve që ishin në detyrë.
Policia ka njoftuar se të gjithë zyrtarëve të lënduar u është ofruar trajtim mjekësor.
Edhe 11 qytetarë apo protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë protestës. Policia ka theksuar se këto të dhëna mund të ndryshojnë, varësisht nga zhvillimet e mëtejshme në terren.
Në njoftimin e saj, Policia e Kosovës ka theksuar se nuk ka ndërhyrë ndaj personave që kanë protestuar në mënyrë të qetë dhe demokratike.
“Policia e Kosovës për asnjë ditë dhe në asnjë rast nuk ka vepruar ndaj protestuesve të cilët kanë protestuar në mënyrë të qetë e demokratike, por ka vepruar vetëm në rastet kur protestuesit kanë shfaqur dhunë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, gjatë gjithë protestës janë bërë thirrje publike që protestuesit të ruajnë qetësinë dhe të veprojnë brenda suazave ligjore.
Protesta ka vazhduar edhe në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa sipas Policisë, situata aktualisht është e qetë.
Zyrtarët policorë kanë mbetur në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, ndërsa Policia ka përsëritur se prioritet mbetet siguria e qytetarëve, mbrojtja e pronës publike dhe private dhe mundësimi i zhvillimit të protestës në mënyrë të qetë./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.