Policia masa shtesë sigurie pas “kërcënimeve për sulme në Evropë”
Pas sulmeve terroriste në disa qytete të Evropës dhe kërcënimeve për sulme të tjera, Policia e Shqipërisë ka marrë masa shtesë në fushën e sigurisë publike dhe kufirit, konkretisht “pas kërcënimeve për sulme të tjera nga DEASH-i”.
Në një njoftim zyrtar të publikuar sot, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, thekson se do të ketë shtim të prezencës policore me uniformë dhe agjentë në terren, do të forcohen masat e kontrollit gjatë aktiviteteve me pjesëmarrje masive kulturore-sportive, në qendra tregtare, objekte me rëndësi strategjike, trupit diplomatik, etj.
Gjithashtu sipas policisë do të forcohen masat e kontrollit në pikat e kalimit kufitar, ndërsa kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve për të denoncuar çdo “dyshim për persona objekt i kësaj veprimtarie”.
“Paralelisht strukturat e Antiterrorit po punojnë intensivisht në terren për mbajtjen nën kontroll të personave me risk, me prirje radikale, por edhe lidhjet e tyre. Këto struktura kanë intensifikuar bashkëpunimin me Prokurorinë, SHISH (Shërbimi Informativ i Shtetit) dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere për shkëmbimin e ndjekjen në kohë të çdo informacioni për veprimtari kriminale me sfond terrorist me qëllim parandalimin, zbulimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar”, theksohet në njoftim.