ParlamentarePolitika

Pollo: Falenderoj ata që i vunë zjarrin bunkerit

Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, gjatë fjalës së tij në seancën plenare deklaroi se “ndërtimi me para’ publike i simbolit të komunizmit në qendër të qytetit është fyerje, arrogancë dhe sfidë” dhe për këtë arsye ai falenderoi të gjithë ata që e dogjën në protestën e 8 dhjetorit.

“Ndërtimi me para’ publike i simbolit të komunizmit në qendër të qytetit është fyerje, arrogancë dhe sfidë. Edhe pse nuk shquhem si nxitës i dhunës, unë falenderoj ata që shprehën dëshirën e qindra mijërave që i vunë zjarrin një njolle të tillë”, tha Pollo.

Në lidhje me vlerësimin e torturuesit të At Zef Pllumit dhe Sami Rrepishtit, Pollo deklaroi: “Kryeministri nuk shpjegoi pse ia dha medaljen. E zëmë se nuk e dinte për kë bëhej fjalë, por le ta anulojë. Kaq është kërkesa e Partisë Demokratike. Nëse nuk e anulon dot vetë, ta bëjë me kërkesë të Parlamentit”.

Rama: Nuk ishte dekoratë, por medalje

Kryeministri Edi Rama iu kthye çështjes së vlerësimit të torturuesit të Sami Rrepishtit dhe At Zef Pllumit, duke thënë se nuk bëhej fjalë për dekoratë, por për medalje, që është thjesht një dëshmi se personi në fjalë ka qenë në listën e veteranëve.

“Çfarë lloj mendjeje je? Si ka mundësi? Del këtu e lexon ligjin, e pastaj thua ligji është në rregull, po e shkelëm ne. Po këtu lind problemi tjetër. Pse shkleja e këtij ligji? Ja ku e ke, lista e veteranëve të kategorisë së parë. 3.5.1995, vendimi i qeverisë tënde. Mirë vendimi i qeverisë në shkelje të ligjit që paske bërë vetë, po pensionet e posaçme për Nexhmijen, Arianitin, si të shpëtuan ato ty që nuk të shpëton asgjë? Pse u kujtove tani? Medalja është dëshmi e të qënit në këtë listë, nuk është dekoratë. Më e bukura është që u kujtove një vit me vonesë. Ti ngatërron dekoratën me medaljen. Ajo nuk ishte dekoratë, por ti nuk i kupton këto. Ti nuk vjen dot në qytetërim. Medalja është e ndarë nga dekorata”, tha Rama.

Më pas, Rama theksoi se qeveria e tij ka bërë në dy vjet dyfishin e legalizimeve që ka bërë PD-ja në 8 vjet.

“Kemi bërë 40 mijë legalizime, dyfishin tënd në 8 vjet. Ti je kryeministri që duhet t’i kërkosh ndjesë banorëve të Bathores”, nënvizoi kryeministri, i cili e mbylli me një batutë për Berishën: “Do të të bëj monument kulture, pasi je simboli i antishtetit. Këtu do të të mbaj gjithmonë që shqiptarët ta dinë gjithmonë se nga çfarë kanë shpëtuar”.

Kjo ishte përgjigja e Berishës: “Gjatë qeverisjes sime bëmë investime të mëdha. Vetëm për fermerët e bregut të Sarandës dhe Delvinës, u financuan mbi 700 projekte. Në energjitikë u investuan në Konispol të paktën 40 milionë euro dhe unaza e jugut, e tëra, është vepër e qeverisë së mëparshme që Rama po shkon dhe e inauguron segment për segment”.

Më tej, ai tha se legalizimet do i bëjë të gjitha PD-ja falas: “Mos paguani asgjë për legalizimin e shtëpive pasi do jua legalizojë të gjitha Partia Demokratike me vetëm 1 euro. U tha se do legalizohej falas, por tani përcaktohen çmimet sa qimet e kokës. Edi Ramës i ka hyrë jo lepuri, por Saliu në bark dhe po vdes nga frika”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button