POLONI – Arrestohet një tjetër i dyshuar për kërcënime ndaj Tusk, dy raste brenda tri ditësh
VARSHAVË, 13 tetor /ATSH-PAP/- Policia polake ka arrestuar një 46-vjeçar të dyshuar për nxitje publike të vrasjes së kryeministrit Donald Tusk dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë, në rastin e dytë brenda tri ditësh, që lidhet me kërcënime ndaj drejtuesve politikë në vend.
Sipas agjencisë polake të lajmeve PAP, personi u arrestua dje në qytetin Oborniki, në Poloninë perëndimore.
Zëdhënësi i qeverisë, Adam Szłapka, njoftoi sot arrestimin e tij.
Prokuroria i ka ngritur të dyshuarit akuza për nxitje të vrasjes dhe fyerje ndaj kryeministrit Tusk, kryetarit të Dhomës së Ulët të Parlamentit, Włodzimierz Czarzasty, si dhe një gazetareje të televizionit publik polak “TVP Info”.
Ai akuzohet gjithashtu për fyerje ndaj ministrit të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, deputetit Krzysztof Paszyk dhe ish-presidentit polak Lech Wałęsa.
Sipas policisë, 46-vjeçari kishte publikuar në internet mesazhe kërcënuese dhe thirrje për vrasjen e disa përfaqësuesve të institucioneve shtetërore.
Hetuesit kanë sekuestruar telefonat e tij për të shqyrtuar materialet e publikuara.
Sipas raportimeve, i dyshuari pranoi se kishte publikuar përmbajtje fyese ndaj zyrtarëve, por mohoi akuzën se kishte nxitur vrasjen e tyre.
Ai shpjegoi se shkrimet e tij kishin ardhur si pasojë e frustrimit.
Prokuroria vendosi ndaj tij mbikëqyrje policore, ndalimin e publikimit të përmbajtjeve fyese në media dhe ndalimin e largimit nga Polonia.
Për veprat penale për të cilat akuzohet, ai mund të përballet me një dënim deri në tre vjet burg.
Rasti i parë, kërcënime ndaj Tuskut dhe ministrit të Mbrojtjes
Arrestimi i 46-vjeçarit vjen pas ndalimit, të dielën, më 11 tetor, të një burri rreth 60 vjeç në rajonin e Silesisë së Poshtme, në jug të Polonisë.
Autoritetet dyshojnë se ky person kishte planifikuar një sulm ndaj kryeministrit Tusk dhe ministrit të Mbrojtjes, Kosiniak-Kamysz.
Sipas ministrit të Brendshëm, Marcin Kierwiński, policia arriti te i dyshuari pas analizimit të materialeve të publikuara në internet.
Informacioni për një sulm të mundshëm ndaj dy zyrtarëve kishte mbërritur te shërbimet e sigurisë dhe kishte çuar në një mbledhje urgjente të përfaqësuesve të policisë, Shërbimit të Mbrojtjes së Shtetit dhe Agjencisë së Sigurisë së Brendshme.
Kryeministri Tusk konfirmoi arrestimin e parë në një mesazh në rrjetin social X, ku falënderoi policinë për reagimin e shpejtë.
Përfaqësuesi i shërbimeve të inteligjencës, Jacek Dobrzyński, deklaroi se kërcënimet në atë rast po trajtoheshin me seriozitet të veçantë.
Polonia është përballur kohët e fundit, me shqetësime të shtuara për sigurinë, ndërsa institucionet kanë paralajmëruar për rritjen e kërcënimeve dhe thirrjeve për dhunë në internet. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.