POLONI – Përplasje në Gjykatën Kushtetuese, presidenti kundërshton emërimet e reja të gjyqtarëve
VARSHAVË, 31 tetor /ATSH-PAP/- Kriza në Gjykatën Kushtetuese të Polonisë është thelluar, ndërsa policia ka rrethuar ndërtesën e gjykatës pas paralajmërimeve për kërcënime ndaj sigurisë së gjyqtarëve dhe punonjësve.
Qindra demonstrues, shumica mbështetës të partisë opozitare konservatore “Ligj dhe Drejtësi” (PiS), u mblodhën para gjykatës në Varshavë. Disa prej tyre tentuan të hapnin me forcë portën e ndërtesës.
Presidenti Karol Nawrocki, i cili mbështet PiS-in, ndërpreu vizitën e planifikuar në Senegal dhe u kthye në kryeqytet. Në një video të publikuar në rrjetin social X, ai shihet duke përdorur forcë për të hyrë në ndërtesën e gjykatës.
Ndërkohë, kryeministri Donald Tusk kërkoi rikthimin e shtetit të së drejtës dhe akuzoi qeverisjen e mëparshme të PiS-it për shkelje të ligjit.
Konflikti lidhet me emërimin e pesë gjyqtarëve të rinj nga parlamenti, të cilët presidenti Nawrocki ka refuzuar t’i njohë.
Përplasjet u shtuan pasi në faqen zyrtare të gjykatës u publikua një njoftim për pezullimin e përkohshëm të kryetarit të saj, Bogdan Swieczkowski, dhe zëvendësit të tij.
Pak më vonë, gjykata mohoi njoftimin, duke pretenduar se faqja e saj ishte sulmuar nga hakerat.
Partia PiS, e cila qeverisi Poloninë nga viti 2015 deri në vitin 2023, kishte emëruar gjyqtarë të afërt me qëndrimet e saj politike.
Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian kishte vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës Kushtetuese për shkak të problemeve në procesin e emërimeve.
Qeveria e Tusk synon të ndryshojë reformat e sistemit gjyqësor të ndërmarra nga paraardhësit, por procesi është penguar nga kundërshtimet e presidentit Nawrocki. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.