Poroshenko: Ukraina dëshiron të hyjë në NATO
Një vit pas fillimit të protestave në Maidan, Presidenti i Ukrainës, Poroshenko përsëriti dëshirën e vendit të tij për t’u anëtarësuar në NATO. Në sheshin e pavarësisë u përkujtuan viktimat.
Ishte një ceremoni e heshtur përkujtimore, ajo që u mbajt në Sheshin Maidan në zemër të Kievit. Natën duke gdhirë e diela, qindra mijëra ukrainas erdhën në sheshin e pavarësisë, ndezën qirinj dhe kujtuan me këtë qytetarët, që u vranë apo u plagosën një vit më parë që prej fillimit të protestave properëndimore jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë vendin.
Në ekrane të mëdhenj u treguan pamje nga dimri 2013/2014 – fotografi të lëvizjes protestuese, të cilat çuan në rrëzimin e Presidentit besnik ndaj Moskës, Viktor Janukoviç dhe sollën një qeveri properëndimore në pushtet. Në një skenë të ngritur para monumentit të pavarësisë, dolën ish-aktivistë të Maidanit dhe politikanë, midis tyre edhe këngëtarja Ruslana, e cila në vitin 2004 fitoi festivalin e Eurovizionit Song Contest dhe që me angazhimin e saj të palodhur u bë figurë simbolike e protestave masive.
Presidenti Poroshenko dëshiron anëtarësim në NATO
Në një intervistë ekskluzive me ARD, Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko deklaroi se bashkëkombasit e tij patën dhënë jetën për të drejtën e të qenit evropian. Njëkohësisht, Poroshenko përforcoi interesin e vendit të tij për t’u bërë në plan afatgjatë anëtar i NATO-s. Më parë megjithatë në Ukrainë duhet të ketë reforma të gjera, pranoi ai. “Ne duhet të bëjmë gjithçka, në mënyrë që vendi, niveli i të ardhurave të qytetarëve, produkti i brendshëm bruto, investimet në mbrojtje dhe forcat e armatosura t’u përgjigjen kritereve, të cilat vlejnë sot për vendet që synojnë anëtarësimin në NATO”, deklaroi Presidenti në intervistë.
Në lidhje me situatën në Ukrainën Lindore Poroshenko theksoi se vendi i tij i përmbahet me rreptësi dymbëdhjetë pikave të Protokollit të Minskut të muajit shtator. Për shkeljen e përsëritur të negociatave të paqes me Rusinë ai bëri përgjegjëse “kryengritësit dhe terroristët e Donjeckut dhe Luhanskut”. Prandaj duhet të shtohet ushtria dhe të forcohet aftësia për luftë e vendit. “Po të jetë e nevojshme, ne do të flemë me revolver nën jastëk”, deklaroi Poroshenko duke pasur parasysh separatistët në Ukrainën Lindore.
Kliçko kritikon ekonominë gjermane
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Kliçko e shfrytëzoi ditën përkujtimore për të kërkuar sanksione më të forta kundër Rusisë dhe formuloi kritika ndaj disa përfaqësuesve të ekonomisë gjermane. Në një intervistë me gazetën “Bild am Sonntag” ish-boksieri profesionist e bëri përgjegjëse Rusinë për shkallëzimin e konfliktit në Ukrainë. “Kjo harrohet gjithmonë, edhe në Gjermani. Ata që u vënë pikëpyetje sanksioneve kundër Rusisë tregojnë me këtë se aq u bënë për viktimat në Ukrainë”, deklaroi Kliçko në një invervistë.
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier u shpreh në një intervistë në ZDF për anëtarësimin e synuar nga Ukraina në NATO. Përballë acarimit të konfliktit në Ukrainën Lindore ai nuk e sheh Ukrainën në rrugë për në NATO, deklaroi Steinmeieri. Bën pjesë në përgjegjësinë për politikën e jashtme që t’i thuhet publikut që zjarrit nuk i duhet hedhur benzinë, tha ai.