PORTUGALI – Rikthehen protestat, mijëra qytetarë sfidojnë ndërhyrjen e policisë
– Mijëra qytetarë në Portugali kanë dalë sërish në protesta kundër rritjes së çmimeve të banesave dhe qirave, duke premtuar se do të vazhdojnë demonstratat, pasi policia ndërhyri dje për të larguar kampet e protestuesve në Lisbonë dhe Porto, sipas “Euronews”.
Sipas raportimeve, policia arrestoi 55 persona gjatë operacionit për largimin e çadrave të ngritura në sheshet qendrore të dy qyteteve. Të arrestuarit u liruan më vonë, por pritet të paraqiten në gjykatë.
Në Lisbonë, protestuesit ngritën rreth 200 çadra në Sheshin “Rossio” që prej së shtunës, ndërsa në Porto aktivistët qëndruan në Sheshin “Dom Joao I” për rreth 10 ditë.
Ndërhyrja e policisë ndodhi para orës 06:00 të ditës së djeshme, pasi autoritetet u kërkuan protestuesve të largoheshin, duke argumentuar se kampet nuk ishin të ligjshme.
Në Lisbonë, policia hoqi çadrat, ndërsa në Porto protestuesit i çmontuan ato pas kërkesës së autoriteteve.
Përfaqësuesja e protestuesve në Lisbonë, Carla Valadao e cilësoi ndërhyrjen policore si shumë agresive.
Nga ana tjetër, një përfaqësues i Policisë së Sigurisë Publike deklaroi se operacioni ishte zhvilluar në mënyrë të qetë dhe proporcionale.
Pas largimit të çadrave, mijëra persona u mblodhën sërish dje në mbrëmje në Lisbonë, Porto dhe qytete të tjera të vendit.
Organizatorët thanë se në secilin prej dy shesheve kryesore të protestave ishin mbledhur më shumë se 1 000 persona, ndërsa policia nuk publikoi shifra për pjesëmarrjen.
Në një demonstratë publike në Lisbonë, protestuesit vendosën të riktheheshin sot në Sheshin “Rossio” dhe të ngrinin sërish çadrat.
Kundërshtim ndaj projektligjit për qiratë
Protestuesit kërkojnë që qeveria e qendrës së djathtë të tërheqë një projektligj që synon të lehtësojë dëbimin e qiramarrësve dhe të heqë kufizimet për çmimet e qirave në kontratat e reja.
Protestuesit thonë se pagat nuk po ecin me të njëjtin ritëm si çmimet e banesave dhe kostot e tjera të jetesës.
Ata kërkojnë mundësi për të marrë me qira ose për të blerë një banesë pa shpenzuar pjesën më të madhe të të ardhurave.
Çmimet e banesave janë dyfishuar që nga viti 2017
Portugalia po përballet me një nga krizat më të rënda të përballueshmërisë së banesave në Evropë.
Sipas të dhënave të raportuara nga “Reuters”, çmimet e banesave janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2017, ndërsa qiratë për kontratat e reja janë pothuajse dyfishuar.
Problemi është veçanërisht i ndjeshëm në qytetet e mëdha, ku kërkesa për banesa është rritur, ndër të tjera, për shkak të turizmit dhe ardhjes së punonjësve që punojnë në distancë nga vende të ndryshme të botës.
Protestat në Portugali zhvillohen në një kohë kur edhe vende të tjera evropiane, po përballen me pakënaqësi për rritjen e kostos së jetesës dhe vështirësitë për të siguruar strehim të përballueshëm.
Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë derisa autoritetet të ndërmarrin masa konkrete për të përmirësuar situatën e strehimit në vend. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.