Portugalia në finale, Ronaldo dhe Nani “vrasin” Uellsin
Portugalia mbërrin e para në finalen e madhe të Euro 2016, dhe në një pozicion komod pret e qetë se çfarë do t’i rezervojë sfida e Marsejës që përcakton finalistin tjetër mes Gjermanisë dhe Francës.
Luzitanët regjistruan fitoren e parë brenda 90 minutave në turneun e kësaj vere, dhe për këtë gjetën momentin më të volitshëm, duke likujduar 2-0 Uellsin dhe duke arritur aty ku dështuan në shtëpi, në vitin 2004.
Në Lion ishte në diskutim një biletë për “Stad de France” dhe sytë ishin të fokusuar te lojtarët kryesorë, Garet Bejl dhe Cristiano Ronaldo. Pjesë e parë në kafaz. Fraksionit hapës i mungoi futbolli tërheqës dhe taktikat e skuadrave imponuan një lojë të ngadaltë e të kujdesshme me Ronaldon dhe Zhoao Marion që kishin gjithsesi shanse për të zhbllokuar.
Ajo çfarë kishte ndërtuar Uellsi u shkatërrua në vetëm 3 minuta lojë në Stad de Lymier. Një finish ekselent i Cristiano Ronaldos me kokë, tundi rrjetën e Henesi dhe ishullorët morën goditjen e parë. Ende pa u rikuperuar nga shoku psikologjik, formacioni i Kolmen përfitoi nga një aksion me fat për të hipotekuar finalen. Goditje e Ronaldos dhe devijim i Nanit me sytë nga anësori. Kjo ishte sinteza e rrjetës që konfirmoi supremacinë e Portugalisë, dhe deri në fund shifrat nuk ndryshuan më.
Tashmë luzitanët mbërrijnë sërish në finalen e Europianit, me shijen e hidhur të humbjes me Greqinë në 2004, por me vetëdijen se ndaj çdokujt prej Gjermanisë apo Francës e ka një shans real për të ngritur trofeun.