PR: Hapja e negociatave, detyrim për reformën zgjedhore
Partia Republikanë ka përshëndetur vendimin e Komisionit Europian për të rekomanduar hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por thotë se ky vendim është një detyrim ndaj klasës politike shqiptare për të nisur urgjentisht reformën zgjedhore.
Nënkryetarja e republikanëve, Brunlida Laboviti doli këtë të premte me një deklaratë për shtyp, ku theksoi se tashmë zbatimi i Reformës në Drejtësi, por edhe i Reformës Zgjedhore, janë një obligim për të vazhduar si europianë në rrugën e gjatë drejt kësajfamiljeje të madhe.
“Shqipëria tashmë ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, jo vetëm në lidhje me procesin e integrimit europian, por në të njëjtën kohë duke ndikuar që ky proces të bëhet një realitet i prekshëm për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë”, deklaroi Laboviti.
Në deklaratë thuhet se PR do të jetë e përkushtuar në zbatimin e reformës në drejtësi, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një reformë zgjedhore që shmang praktikat e deritanishme në këtë procesit, luftën ndaj korrupsionit, kanabisit dhe kriminalitetit, bashkëpunimin e politikës për sfidat e vendit dhe ekonominë.