““Prania Besnike” çdo të premte në orën 17:00”, Rama: Deputetët do dëgjojnë qytetarët dhe jo të bëhen “sekserë”, takimet jo karakter partiak
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar mënyrën se si do të funksionojë “Prania Besnike”, një nismë që synon të krijojë një komunikim të drejtpërdrejtë dhe të rregullt mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre.
Sipas Ramës, takimi me qytetarët do të zhvillohet çdo të premte, në orën 17:00, në një vend dhe orar të përcaktuar paraprakisht. Qytetarët do të kenë mundësi të paraqiten dhe të takohen ballë për ballë me përfaqësuesit e tyre për të shprehur shqetësimet dhe problematikat që kanë.
Rama theksoi se kjo nismë nuk synon t’i kthejë deputetët në “sekserë” apo të telefonojnë drejtorët, por shqetësimet e qytetarëve duhet të shkojnë në rrugë ligjore me shkrim tek institucionet përkatëse.
““Prania Besnike” vendos një rregull të thjeshtë: qytetari duhet ta dijë paraprakisht ku dhe kur mund ta gjejë përfaqësuesin e vet, në një ditë, në një orë, në një kalendar të publikuar paraprakisht. E premtja e kësaj jave, në orën 17:00, është fillimi i një procesi të “Pranisë Besnike” në të gjithë vendin, që nuk do të ndalet dhe nuk do të ndryshojë orë deri sa unë të jem kryetar i PS-së. Kur unë të mos jem, ju zgjidhni dhe e merrni si do veproni me “Praninë Besnike”. Çdo të premte, në orën 17:00.
Kjo nuk do të jetë mbledhje dhe as një takim ku mblidhen disa njerëz, fillojmë dhe flasim. “Prania Besnike” është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët. Kjo do të thotë se kushdo që do të shprehë shqetësimin e tij, vjen në atë orë dhe në atë vend dhe pret momentin kur do të ulet përballë përfaqësuesit të tij. Përfaqësuesit do të mbajnë shënim shqetësimet e qytetarëve. Nuk do të thonë se sa shumë punë janë bërë, por do të dëgjojnë dhe do të mbajnë shënim problemet dhe shqetësimet e tyre. “Prania Besnike” nuk pranon kamera. Prania Besnike pranon fotografi në fillim të takimit, vetëm me miratimin e atyre që janë të pranishëm dhe pa ekspozuar fytyrat e tyre”, tha Rama.
Rama tha gjithashtu se takimet nuk do të kenë karakter partiak. Në to mund të marrin pjesë qytetarë pavarësisht bindjeve të tyre politike, ndërsa komunikimi do të zhvillohet pa kamera dhe pa ekspozim të personave që paraqesin shqetësimet e tyre.
“Prania Besnike” do të nisë këtë të premte, në orën 17:00, dhe sipas Ramës, synimi është që kjo praktikë të shtrihet në të gjithë vendin dhe të kthehet në një mënyrë të qëndrueshme komunikimi mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre.
““Prania Besnike” refuzon përkatësinë partiake. Nuk ka rëndësi se i cilës parti je, për kë ke votuar apo nëse ke qenë kundër PS-së në fushatë. Nëse do të kërkosh të na dëgjosh, ne do të jemi aty, çdo të premte në orën 17:00. “Prania Besnike” nuk pranon dhënien e numrit të telefonit apo premtimin se dikush do të ndihmojë jashtë rregullave. Prania Besnike është një sistem që duhet të sistemojë institucionet dhe të mos i kthejë deputetët në sekserë të halleve të njerëzve.
“Prania Besnike” kërkon që deputetët të mos marrin më në telefon asnjë drejtor, por, përmes rrugës me shkrim, të dërgojnë hallin e qytetarit në destinacionin institucional përkatës. Në “Praninë Besnike” nuk shkohet për të treguar se sa bukur punon qeveria, por për të parë se ku qeveria po dështon të dëgjojë dhe të kuptojë qytetarët”, tha Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.