Pranvera Frankofone – Zhvillon punimet forumi i II ekonomik Francë-Shqipëri
Ambasada e Francës në Shqipëri në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Agjencinë Universitare Frankofone dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Francës zhvilluan të hënën forumin ekonomik Francë- Shqipëri, në kuadër të “Pranverës frankofone”.
Të pranishëm ishin ambasadori i Francës në Shqipëri, Bernard Fitoussi, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule si dhe Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Francës, Julien Roche. Një rol të rëndësishëm në forum iu kushtua edhe studentëve, ku ata u njohën me mundësitë për shkëmbimin e eksperiencave dhe studimin në Francë, por edhe punësimin e tyre në sipërmarrjet franceze në vendin tonë.
Gjatë punimeve të forumit, ambasadori francez tha se vendet frankofone zhvillojnë strategji për transformimin ekonomik dhe strukturor për të përmirësuar pjesëmarrjen e tyre në shkëmbimet rajonale dhe ndërkombëtare.
Për frankofoninë, tha ai, strategjia ekonomike kërkon të harmonizojë rritjen ekonomike, luftën kundër varfërisë dhe pabarazitë, mbrojtjen e ambientit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. “Për këtë qëllim, ajo bën thirrje për thellimin e proceseve demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen, të drejtat e njeriut dhe barazinë mes grave dhe burrave. Ajo synon gjithashtu përfshirjen e më tepër aktorëve lokalë dhe të shoqërisë civile, të sektorit privat dhe diasporës”, deklaroi Fitoussi.
Sipas tij, ajo parashikon forcimin e hapësirës ekonomike frankofone për t’iu përgjigjur problemeve që dalin nga sfidat ekonomike, sociale, energjetike dhe të ambientit si dhe çekuilibrat në rritje të sistemit ekonomik dhe financiar botëror. Ajo inkurajon një ekonomi gjithëpërfshirëse të bazuar mbi kapitalin njerëzor, zhvillimin lokal, mbrojtjen e kapitalit natyror.
Ajo, vijoi Fitoussi, synon zvogëlimin e pabarazive shoqërore, përgjegjësisë sociale dhe ambientale të aktorëve ekonomikë. Po ashtu, kontribuon në hartimin e rregullave ekonomike, financiare, tregtare dhe juridike për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të drejtë, solidare, të hapur dhe transparente.
“Këto fjalë kanë një jehonë të madhe këtu në Shqipëri. Sigurisht, e ardhmja e Shqipërisë është në Evropë dhe konkretisht në BE. Por, për sa i përket ekonomisë, ajo bën pjesë tek vendet në zhvillim. Ekziston një lidhje e pandashme (e fortë) mes frankofonisë ekonomike në Shqipëri dhe të ardhmes evropiane të këtij vendi. Autoritetet më të larta të shtetit shpresojnë që ndërmarrje franceze dhe frankofone në përgjithësi, të jenë edhe më të pranishme për të ndërtuar rrugën që do ta çojë Shqipërinë drejt BE-së. E tillë është sfida e pranisë suaj këtu. Një rrugë e vështirë dhe mjaft konkurruese. Sa më e fortë, transparente dhe e ndershme të jetë konkurrenca mes kompanive evropiane, madje edhe mes atyre franceze, aq më shumë mundësi për zhvillim, pra dhe integrim, do të ketë ky vend”, deklaroi Fitoussi.
Por, për kryediplomatin francez, forumi ekonomik frankofon nuk është vetëm biznes, janë edhe vlerat që inkurajon frankofonia përfshirë ato në fushën ekonomike.
Ndërsa Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Francë-Shqipëri, Julien Roche deklaroi se ekipi dy-kulturor i Dhomës u mundëson kompanive franceze ta konceptojnë qartë tregun shqiptar. Sipas tij, kjo dhomë e krijuar që nga viti 2012 në vendin tonë, synon zhvillimin e këmbimeve ekonomike midis dy vendeve.
“Objektivi ynë është i qartë, sipërmarrës në shërbim të sipërmarrësve të tjerë. Me ndihmën e 70 kompanive tona anëtare ne u ofrojmë kompanive franceze lehtësi për t’u vendosur apo për të shpejtuar tempin e veprimtarive të tyre për tu bërë pjesë e tregut shqiptar”, theksoi Roche. Asistenca jonë, tha ai, është në fushat audit, banking, universitet, pasuri e patundshme, hotele, avokatë, sigurim, sëndetësi, miniera transport logjistike, etj. nisje dhe pikënisje e mirë si dhe mundësi që të identifikoni kompani dhe eksploroni sektorët e tyre.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule nënvizoi bashkëpunimin e Francën që sipas tij, daton që kur është themeluar vetë Universiteti i Tiranës.
“Ka 120 pedagogë frankofonë që kanë kryer studimet në institucionet francezë. Kemi një bërthamë të fuqishme për të promovuar dhe ngritur në një nivel më të lartë bashkëpunimin e nevojshëm dhe të domosdoshëm që ne kemi”, u shpreh Kule.
Më tej, ia shtoi se që nga viti ’98 universiteti i Tiranës, është anëtar me të drejta të plota i Agjencisë Frankofone, e cila shërben si një urë bashkëpunimi për stafin akademik të Universitetit