Presidenti Begaj nis konsultimet për zgjedhjet lokale, Balla konfirmon pjesëmarrjen e PS. Bardhi: Teatër politik!
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka konfirmuar se PS do të marrë pjesë në konsultimet e thirrura nga Presidenti Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla theksoi se konsultimi me partitë politike është një procedurë e ndjekur nga çdo President i Republikës dhe kritikoi qëndrimin e Partisë Demokratike për të mos marrë pjesë në këtë proces.
Ai u shpreh se zgjedhjet vendore pritet të zhvillohen në periudhën mes 15 prillit dhe 15 majit 2027, ndërsa nënvizoi se Partia Socialiste do të jetë e pranishme në konsultimet me kreun e shtetit.
“Çdo President i Republikës ka bërë të njëjtën procedurë, duke ftuar partitë politike për konsultimin e datës së zgjedhjeve. Por sot “depoja e molotovëve”-SHQUP qenka shprehur kundër kësaj tradite. Uroj që t’i thërrasin arësyes dhe të marrin pjesë në ZGJEDHJET VENDORE diku mes 15 Prill – 15 Majit 2027. Të kundërtën e kanë provuar në forma të ndryshme me bojkot, me vulë, pa vulë etj.Partia Socialiste konfirmon prezencën në konsultime me Presidentin e Republikës zotin Bajram Begaj mbi datën e zgjedhjeve vendore 2027.
Menjëherë pas këtij zhvillimi erdhi reagimi i kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili refuzoi ftesën e Presidentit dhe e cilësoi procesin si një “teatër politik”.
Sipas Bardhit, data e zgjedhjeve është e paracaktuar nga kryeministri Edi Rama dhe konsultimet nuk kanë vlerë reale politike.
“Sapo jam njohur me shkresën e Institucionit të Presidentit për thirrjen e konsultimeve lidhur me datën që Edi Rama ka paracaktuar për zgjedhjet e ardhshme vendore. E përbuz me neveri këtë teatër politik.”
Në reagimin e tij, Bardhi u shpreh se “ftesa e Bajram Begajt është tërësisht e shpërfillshme” dhe akuzoi Presidentin se nuk po ushtron rolin e tij kushtetues, por po i shërben pushtetit.
Ai shtoi se, në kushtet kur opozita kërkon garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme, Presidenti duhet të adresojë shqetësimet e qytetarëve dhe jo të organizojë konsultime formale për datën e zgjedhjeve.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.