Vuçiç: Do të kthehemi në pushtet pas dy vjetësh, ndoshta edhe më herët; SNS-së i pret një riorganizim i madh
Bartësi i listës "Serbia e Bashkuar", Aleksandar Vuçiç, njoftoi zgjedhjen e njerëzve të rinj në postet drejtuese të SNS-së dhe formimin e frontit më të gjerë kundër pushtetit të ri, ndërsa tha se pas zgjedhjeve ka biseduar me Orbanin, Macronin, Melonin dhe Costën
Bartësi i listës “Serbia e Bashkuar”, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se beson që do të kthehet në pushtet pas dy vjetësh, ndoshta edhe më herët, dhe ka njoftuar një riorganizim të madh të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), siç njofton portali Mondo.
“Nuk do të kthehemi në pushtet nesër, por besoj se kjo do të ndodhë pas dy vjetësh, ndoshta edhe më herët. Njerëzit që votuan për Listën Studentore do të thonë se kanë gabuar kur t’u vihet në rrezik një pjesë e punës”, ka thënë Vuçiç, sipas raportimit të Mondos.
Si shembuj të ndryshimeve të shpejta politike, ai ka përmendur Bullgarinë, presidentin amerikan Donald Trump, i cili, siç tha, u përndoq e pastaj fitoi sërish, si dhe kryeministrin çek Andrej Babiš, që fitoi pas një skandali të supozuar të madh korrupsioni.
Vuçiç ka njoftuar se SNS-ja do të zgjedhë njerëz të rinj në postet drejtuese dhe do të jetë e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan t’i bashkohen formimit të frontit më të gjerë kundër pushtetit të ri. “Do të zgjedhim njerëz të rinj në postet drejtuese, do të ndryshojmë shumë gjëra, por me forcë të re”, ka thënë ai.
“Është e rëndësishme të tregojmë stabilitet, guxim dhe vendosmëri. Duhej të kalonin dhjetë vjet që njerëzit të thoshin ‘sa budalla kam qenë kur mora pjesë në 5 tetor’. Kështu do të jetë edhe tani”, ka thënë Vuçiç për televizionin Informer.
Ai ka shtuar se nuk ka çfarë të bisedojë me ata që duan t’i eliminojnë kundërshtarët në vend që të tregojnë respekt për rregullat demokratike, dhe u ka kërkuar njerëzve të qëndrojnë të qetë e të mos u përgjigjen provokimeve, duke vlerësuar se po vjen një kohë e vështirë dhe se qeveria e re do të jetë “antiserbe”. “Ata që organizuan revolucionin me ngjyra, ata e drejtojnë politikën”, ka thënë Vuçiç, duke shtuar se lista fituese dëshiron “të shuajë çdo zë të lirë”.
Vuçiç ka bërë të ditur gjithashtu se pas zgjedhjeve, dje dhe sot, ka biseduar me një sërë miqsh, nga Viktor Orbani dhe Emmanuel Macroni, te Giorgia Meloni dhe Antonio Costa.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.