Presidenti Meta vlerëson me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Kryeministrin e Bavarisë në periudhën 1978-1988 Franz Josef Strauss (pas vdekjes)
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta nderoi në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe si shprehje të vullnetit më të sinqertë për të vlerësuar një mik të shqiptarëve, me Dekoratën më të lartë të “Flamurit Kombëtar” Kryeministrin e Bavarisë në periudhën 1978-1988 Franz Josef Strauss (pas vdekjes) në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje ndaj mbështetjes dhe ndihmës së vyer dhënë popullit shqiptar për të dalë nga izolimi; për kontributin historik në ripërtëritjen dhe forcimin e miqësisë mes popullit shqiptar dhe popullit gjerman.
Presidenti Meta në fjalën e mbajtur me këtë rast në Këln, më 25 nentor, në kryeqendrën e Landit të North Rhinen-Westphalen, u shpreh se: “Tri vite më parë, kur isha në detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë m’u dha mundësia e shkëlqyer që të organizoja një ceremoni modeste në kujtim të 30-vjetorit të vizitës së parë në Shqipërinë komuniste të Kryeministrit bavarez Franc Jozef Shtraus. Sot jam edhe më shumë i gëzuar që në cilësinë e Presidentit të Republikës t’i jap në emër të qytetarëve shqiptarë një vlerësim të posaçëm, këtij personaliteti të madh e të shquar politik jo vetëm për gjermanët, por edhe për shqiptarët.”
“Franc Jozef Shtraus, – theksoi Presidenti – zë një vend të veçantë në memorien tonë kolektive si i vetmi politikan perëndimor që vizitoi Shqipërinë e izoluar komuniste para rënies së Perdes së Hekurt.”
“Sot ne e dimë, se guximi dhe vizioni i Shtrausit për të vizituar Tiranën, shoqërohej me një oportunitet të jashtëzakonshëm, që do të kishte transformuar krejt historinë dhe marrëdhënien tonë me Evropën dhe botën. Sot ne e dimë se autori i librit i ‘Projektit i madh evropian’ kishte largpamësinë për ta parë kufirin e Evropës të shtrirë edhe në Lindje të saj. Pavarësisht këtij stacioni të humbur prej nesh, vizita e Shtrauss në Tiranë padyshim që përbën gurthemelin e 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike të rivendosura ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë.” – nënvizoi Presidenti.
Presidenti Meta tha se Gjermania është konsoliduar tashmë si partner kyç e strategjik për Shqipërinë, por edhe për sigurinë, paqen dhe begatinë për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe se Gjermania është sot shtëpia e shumë shqiptarëve, të cilët janë integruar më së miri, dhe e përfaqësojnë denjësisht imazhin e vendit të tyre.
“Ne jemi mirënjohës për mbështetjen që Gjermania ka dhënë e na jep, për integrimin evropian, për të gjithë atë ndihmë të jashtëzakonshme në ekonomi, infrastrukturë, energji, dhe në të gjithë sektorët e tjerë jetikë për një zhvillim të qëndrueshëm social dhe ekonomik dhe për një arsimim profesional, veçanërisht për rininë tonë.” – theksoi Presidenti.
Presidenti i Republikës e mbylli fjalën e Tij me urimin: “Për një miqësi më të gjatë, edhe për shumë vite!”, duke ia dorëzuar dekoratën e lartë së bijës së politikanit dhe udhëheqësit gjerman Franc Jozef Shtrauss, zonjës Monika Holhmeier, eurodeputete dhe anëtare e Grupit të Miqve të Shqipërisë në Parlamentin Evropian.
Zonja Holhmeier e falënderoi Presidentin Meta përzemërsisht, edhe në emër të babait të saj të tjerë, në gjurmët e të cili po vazhdon edhe ajo vetë si eurodeputete duke forcuar miqësinë gjermano-shqiptare, si dhe duke përkrahur në mënyrë të palëkundur integrimin evropian të Shqipërisë.