Presidenti Meta zhvillon një vizitë në Komunën e Medvegjës
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta po zhvillon ditën e dielë një vizitë një ditore në Komunën e Medvegjës.
Në pikën kufitare të Mutivodës, Presidenti Meta u prit nga Kryetari i trupës koordinuese për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën, z. Zoran Stankoviç, Kryetari i Komunës së Medvegjës, z. Nebojsha Arsiç, Nënkryetarja e Komunës së Medvegjës, znj. Leme Xhema, këshilltarë shqiptarë të kësaj komune si edhe nga dhjetra shqiptarë.
Në pritjen e ngrohtë që iu bë nga shqiptarët dhe drejtuesit vendorë, Presidenti Meta theksoi ndër të tjera se: “Kjo është një ditë shumë e bukur për mua. Ndihem i emocionuar që ndodhem sot pranë jush. Politika duhet t’iu kushtojë më shumë vëmendje shqiptarëve këtu dhe këtyre zonave. Shpresoj që kjo vizitë e imja të kontribuojë në këtë drejtim. Nga Medvegja dua të theksoj se e ardhmja e popujve tanë dhe e të gjithë rajonit është në Bashkimin Evropian dhe kjo mund të realizohet vetëm duke bashkëpunuar më ngushtë me njëri-tjetrin.”