Presidenti Trump njeh Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit
Në një fjalim të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara e njohin Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. “Sot më në fund, Shtetet e Bashkuara po njohin Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit”, tha Presidenti amerikan. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të lëvizin ambasadën nga Tel Avivi në Jeruzalem.
Ndërsa Presidenti Donald Trump më herët po bëhej gati të njoftonte vendimin, Papa Françesku shprehu “shqetësimin e thellë” për këtë lëvizje, ndërsa Turqia bëri thirrje për një takim të Organizatës për Bashkëpunimin Islamik për të koordinuar një reagim.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nuk e përmendi këtë çështje në një dalje publike më herët të mërkurën.
Sekretari i jashtëm britanik, Boris Johnson tha se vendi i tij nuk ka plane ta zhvendosë ambasadën.
“Ne i shohim këto njoftimet me shqetësim sepse ne mendojmë se Jeruzalemi natyrisht duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare mes izraelitëve dhe palestinezëve, një marrëveshje që ne duam të arrihet”, tha zoti Johnson.
Shtetet arabe dhe myslimane kanë paralajmëruar se çdo vendim për të zhvendosur ambasadën amerikane mund të ndezë tensionet në rajon dhe të shkatërrojë përpjekjet amerikane për të arritur një marrëveshje paqeje arabo-izraelite.
Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti thjesht po njeh një realitet historik dhe modern.
Para njoftimit, Presidenti Trump u telefonoi pesë udhëheqësve ë Lindjes së Mesme të martën, për t’i informuar për vendimin: kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, udhëheqësin palestinez Mahmoud Abbas, mbretin jordanez Abdullah, ëresidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi dhe mbretin saudit, Salman Bin Abdulaziz Al Saud.
Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë, nuk jepte shumë detaje për bisedat përveçse “udhëheqësit diskutuan gjithashtu vendime të mundshme përsa i takon Jeruzalemit”.
Aty shtohej se zoti Trump rikonfirmonte angazhimin për të çuar përpara bisedimet izrealito-palestineze të paqes dhe rëndësinë e mbështetjes së atyre bisedimeve.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë të martën në mbrëmje se zoti Trump e njeh Jeruzalemin jo vetëm si kryeqytetin historik të popullit hebre, por ka qenë vendndodhja e qeverisë izraelite që nga themelimi i Izraelit modern në vitin 1948.
Zyrtarët thonë se presidenti do të urdhërojë Departamentin e Shtetit që të fillojë të bëjë plane për të zhvendosur ambasadën amerikane atje nga Tel Avivi. Ata thonë se procesi do të zgjasë disa vjet, përfshirë gjetjen e vendit, sigurimin e fondeve dhe ndërtimin e një godine të re. Deri atëherë, zoti Trump do të nënshkruajë një dokument për shtyrjen e zhvendosjes, një veprim që bëhet në mënyrë të rregullt nga një president amerikan.
Sipas një ligji të nënshkruar nga Presidenti Bill Clinton në vitin 1995, ambasada duhet të zhvendoset në Jeruzalem, nëse presidenti nuk nënshkruan një dokument çdo gjashtë muaj, sipas së cilit kjo zhvendosje do të rrezikonte sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Çdo president, që nga presidenti Clinton deri tek presidenti Trump, e ka nënshkruar këtë dokument.
“Shtetet e Bashkuara kanë me qera një hapësirë toke në Jeruzalemin Perëndimor për të cilën paguajnë një dollar në vit. Por do të duhej të bëhej një punë e jashtazakonshme jo vetëm përsa i takon ndërtimit, por edhe për lëvizjen e njerëzve dhe objekteve nga Tel Avivi”, i tha Zërit të Amerikës, Michael Fischbach, profesor historie i Universitetit “Randolph-Macon”.
Dennis Ross ishte zyrtari kryesor amerikan për procesin e paqes së Lindjes së Mesme, për tre president dhe ka punuar me izraelitë dhe palestinezë për të arritur marrëveshjen kalimtare të vitit 1995. Ai tha të martën se zoti Trump duket se po lë hapësirë të konsiderueshme si për izraelitët, ashtu edhe për arabët, për të manovruar në ambjentin e ri.
“Është shumë e rëndësishme që presidenti të krijojë mekanizma të mjaftueshëm që miqtë tanë të jenë të bindur se kjo nuk ndryshon aftësinë e palestinezëve, arabëve që kanë prirjen ta shohin Jeruzalemin jo vetëm si çështje palestineze, por edhe rajonale, që pozicioni i tyre, shqetësimi i tyre, pretendimi i tyre, vazhdon të jetë pjesë e procesit të negociatave dhe se nuk po sabotohet. Për mua kjo është pjesa kyçe”, tha zoti Ross në një takim me gazetarët.
Disa zyrtarë në Uashington kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e një reagimi të dhunshëm kundër interesave izraelite dhe amerikane në rajon.
E pyetur nëse Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson është dakord me këtë vendim që mund t’i vendosë qytetarët dhe trupat amerikane në Lindjen e Mesme në rrezik, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert tha se sekretari “Ia ka bërë qëndrimet e tij të qarta Shtëpisë së Bardhë, dhe mendoj edhe Departamenti i Mbrojtjes. Por në fund të fundit i takon presidentit vendimi përfundimtar”.
Konsullata e Përgjithshme amerikane po vendos kufizime për udhëtimet personale të punonjësve të qeverisë amerikane dhe familjet e tyre në Qytetin e Lashtë të Jeruzalemit dhe Bregun Perëndimor, përfshirë Betlehemin dhe Xherikon, mes thirrjeve të shumta për demonstrata.
Edhe ambasadat amerikane në gjithë botën janë urdhëruar që të rrisin masat e sigurisë.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se me njohjen e Jeruzalemit, si kryeqytet të Izraelit, zoti Trump po përmbush një premtim madhor të fushatës. Ata thonë se vendndodhja fizike e ambasadës amerikane, nuk është pengesë për negociatat për një marrëveshjeje përfundimtare paqeje mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Izraeli mori kontrollin e Jeruzalemit në Luftën Gjashtëditëshe të vitit 1967. Më pas e aneksoi Jeruzalemin Lindor. Izaeli ka thënë gjithmonë se një Jerzalem i pandarë është kryeqyteti i përjetshëm I tij. Palestinezët duan që Jeruzalemi Lindor të jetë kryeqyteti i një shteti të ardhshëm. Në Jeruzalem ndodhet Xhamia Al Aqsa, objekti i tretë më i shenjtë i Islamit. Për hebrenjtë është Tempulli Mount, vendi më i shenjtë.
Zyrtari i lartë palestinez, Nabil Shaath tha se zoti Trump nuk do të shihet më si një negociator i besueshëm. “Autoriteti palestinez nuk e pranon dhunën, por mund të mos jetë në gjendje t’i kontrollojë rrugët dhe të parandalojë një kryengritje të tretë palestineze”, tha ai, duke folur në arabisht.
Gerald Feierstein, drejtor i çështjeve të Gjirit dhe marrëdhënieve qeveritare në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington, tha se se sa zemërim mund të shkaktojë ky njoftime, do të varet kryesisht nga mënyra se si e paraqet zoti Trump çështjen.
“Nëse ajo që thotë ai perceptohet ose është me të vërtetë një njohje e gjithë Jeruzalemit, si kryeqytet i Izraelit dhe ai nuk i përmbahet më qëndrimit ndërkombëtar se Jeruzalemi duhet të ndahet dhe se Jeruzalemi Lindor do të jetë kryeqyteti i shtetit palestinez, kur të arrihet marrëbeshja , atëherë kjo do të ketë një efekt shumë negative në procesin e paqes”, tha ai.
“Pra djalli është tek detajet përsa i takon efektit të këtij njoftimi”.