Probleme me gjumin? Shkaku kërkojeni te rrëmuja
Nëse vuani nga pagjumësia atëherë provoni të sistemoni shtëpinë apo dhomën ku flini. Një studim i fundit nga një universitet amerikan ka treguar se rrëmuja shkakton probleme të mëdha me gjumin
Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i “St. Lawrence” në Nju Jork, personat të cilët nuk arrijnë të flenë mirë, më shumë sesa probleme me pagjumësinë, mund të kenë probleme me … rrëmujën.
Hulumtimet e kaluara, të bazuara te një grup studentësh dhe te sjelljet e tyre të përditshme, kanë treguar se përgjithësisht, studentët të cilët marrin rezultatet më të mira në mësime, janë ata të cilët studiojnë në një ambient të rregullt, ndërsa ata që jetojnë në kaos, janë më të predispozuar që të humbasin stimujt, motivimin dhe përqendrimin.
Studimi i shkencëtarëve njujorkezë nxjerr në pah një tjetër fakt të rëndësishëm: individët e prekur nga disposofobia (shqetësimi mendor, i cili çon në grumbullimin e objekteve të panevojshme dhe ndonjëherë të rrezikshme), janë ata të cilët vuajnë më shumë nga pagjumësia dhe nga shqetësimet e mëdha gjatë gjumit.
“Disposofobikët zakonisht kanë probleme vendimmarrjeje dhe për më tepër janë të pasigurt për ato që bëjnë. Mungesa e çlodhjes lidhet ngushtësisht me një funksion të dobët njohës”, ka shpjeguar doktoresha Pamela Thacher.
“Nëse disposofobikët kanë grumbuj rrobash në dhomën e gjumit dhe nëse shtrati bëhet më pak funksional dhe komod për shkak të tyre, atëherë funksionet njohëse janë në rrezik: niveli i depresionit, stresit dhe pagjumësisë do të rritet gjithnjë e më shumë.”
Të qenët të çrregullt nuk është ndonjë problem i madh nëse bëhet fjalë për një gjendje të përkohshme dhe nëse në mes të rrëmujës arrini gjithmonë të gjeni atë që ju duhet.
Megjithatë, nëse mendoni se jeni prekur nga disposofobia, atëherë mundohuni të gjeni një moment për të reflektuar dhe mbi të gjitha, ndonjë ditë për të sistemuar dhomën tuaj.
Nëse për muaj apo për vite të tëra nuk keni përdorur një objekt të caktuar ose një veshje, atëherë mendoni ta hidhni ose ta dhuroni. Mos prisni “rastin e duhur”, që me siguri nuk ka për të ardhur për atë veshje.
Ndër të tjera, ekspertët sugjerojnë që të merrni në konsideratë fshirjen e pluhurave të shtëpisë si një detyrë argëtuese: krijoni një tabelë të qartë ose shënoni mbi kalendar ditët të cilat do t’u përkushtoheni atyre.
Në fund, kur të ndërroheni përgjatë ditës, sistemojini gjithmonë rrobat, të cilat do t’i lëvizni brenda në dollap apo nëpër dhomë. Kështu do të mund të vendosni rregull në mënyrë shumë të thjeshtë pa lodhje e pa stres; mjaftojnë vetëm pak minuta. Nëse mësoheni me këto gjeste të vogla, shumë shpejt gjithçka do ta bëni automatikisht dhe pa shumë sforco. I gjithë studimi është botuar në revistën shkencore “Sleep”.
Ndërkohë, për sa u përket këshillave të tjera në lidhje me bërjen e një gjumi të rehatshëm, ju sugjerohet të bëni kujdes me ambientin në të cilin flini. Mbani një temperaturë jo shumë të ngrohtë. Ekspertët sugjerojnë mes 14 dhe 18 gradëve, por jo më shumë se 20 gradë.
Më pas zgjidhni një shtrat mjaftueshëm të gjerë dhe të gjatë, i cili ndihmon për të gjetur një pozicion të rehatshëm, falë edhe një jastëku, që me mbështetjen e duhur në qafë, përmirëson gjumin.
Kujdes me dritën: ajo mund t’ju bezdisë dhe me sy mbyllur dhe ndihmon procesin që çon në zgjim.
Po kështu, mundohuni të mbani orare të rregullta. I ashtuquajturi “zgjimi biologjik” ndihmon për t’u zgjuar në të njëjtën orë, por edhe për të fjetur me më pak lodhje. Nëse shkohet në shtrat me vonesë, do të ishte mirë që të mos e vononit zgjimin, për të mos shkatërruar fizikun.
Burimi: Cover Media