Prof.Pierre Cabanes, ai ishte njëri nga ne
Ndarja nga jeta nuk është gjithmonë ndarje fizike, veçanërisht nga njerëzit, me të cilët të ka lidhur një bashkëpunim i gjatë intelektual, po aq sa edhe një miqësi e sprovuar në kohë dhe gjendje të vështira. Këtë po provoja para pak ditësh, kur gjendesha në Apoloni, për t’iu rikthyer kujtimit të fundit impresionues nga prof. Pierre Cabanes. Sepse dy vjet më parë, gjatë vizitës së tij të fundit të Shqipëri, më kishte kërkuar ta çoja edhe një herë në qytetin antik, të cilit i kishte kushtuar një pjesë të mirë të veprës dhe jetës së tij. Ishte një lloj përshpirtje në hapësirën midis tempullit pagan të Apolonit mbi kodrën me kuotën 104 dhe Manastirit të krishterë të Shën Mërisë, ku duket se janë vendosur virtualisht në Olimpin e arkeologjisë shqiptare dishepujt e Leon Rey: Hasan Ceka, Selim Islami, Skënder Anamali, Frano Prendi dhe tani së fundi edhe Pierre Cabanes. E shoqëruam atëherë, bashkë me Vangjel Dimon dhe Marin Haxhimihalin, në një ditë të mrekullueshme fundnëntori, kur penelata e vjeshtës paraqisnin në një tjetër kuadër profilet e monumenteve të agorasë, ndërsa oborri i manastirit sikur hapte krahët me arkadat e tij për mikun e vjetër.
Folëm për gërmimet e fundit arkeologjike në Apoloni, por edhe mbishkrimet ende të pabotuara në greqishten e lashtë, që do t’i përfshinte në një adenda të korpusit prej pesë vëllimesh të mbishkrimeve të Ilirisë së Jugut dhe Epirit, të drejtuar prej tij gjatë tri dekadave të fundit. Atëherë na tha me njëfarë trishtimi: “Miqtë e mi, kjo është vizita ime e fundit në Apoloni”. Me 92 vitet e tij na dukej ende i fortë, i vëmendshëm ndaj kohës, i qartë në gjykimet profesionale, por duket se kishte nisur largimi i tij. Sepse njerëzit e shquar vetëm largohen nëpër portën e përjetësisë, e cila është thjesht porta e akropolit të Apolonisë, e Olimpit arkeologjik, nga kishin kaluar më parë Rey, Ceka, Islami, Anamali dhe Prendi. Largimi kishte filluar fill pas kremtimit të 90-vjetorit të ditëlindjes së tij, kur vendosi që bibliotekën e tij të çmuar t’ia dhurojë Shqipërisë. Që atëherë ajo vizitë më kishte kujtuar pikërisht lamtumirën e fundit të Leon Rey, të përshkruar me aq dëshpërim në librin e tij “Perënditë kishin të drejtë”, ku kujton se nga dritarja e një avioni dyvendësh “Junkers”, me të cilin kishte ardhur nga Athina, për të rinisur misionin e tij në Apoloni të ndërprerë nga lufta: “Arrita të shoh atëherë Manastirin, selvitë e larta të errëta dhe kurorat gri të çelët të ullinjve. Shtëpia e gërmimeve ishte gjithmonë aty, por pa dyer e dritare, me çati të dëmtuar rëndë. Gjelbërimi kishte sulmuar gërmimet dhe porta e bukur e akropolit, teatri, buleterioni dhe ndërtesat e tjera që kisha zbuluar, ishin rrafsh me tokën… Për ata që besojnë se perënditë nuk ekzistojnë, unë kisha tani provën që vullneti i tyre ushtrohet përherë: Apolonia nuk do të mund të ngrihej nga rrënojat e saj dhe do të mbetet e dënuar në harresë”.
Në të vërtetë, perënditë e sapoinstaluara në formën e regjimit komunist kishin pyetur atë ditë të gjatë të 21 majit 1945 arkeologun e vetëm të Institutit të Studimeve, Hasan Cekën, nëse ishte e vërtetë që në gërmimet e Leon Rey në Apoloni ishin gjetur thesare të çmueshme, të cilat ishin zhdukur në valixhet e “Frëngut”. Përgjigjja e tij me shkrim ishte se këto “pëshpëritje nuk duhen marrë si vox popoli- vox dei, por si andralla të kota fantazie” dhe se “Për sa i përket kohës prej vitit 1931-1938, gjatë së cilës kam asistue vazhdimisht në gërmime, kam pasë konstatue me kënaqësi se z. Leon Rey u ka qëndrue besnik të gjitha detyrimeve të parapame në kontratë dhe bile ka ndodhë të më dorëzojë edhe antika që nuk u gjetën në gërmime, por që i kishte blemun prej privatëve me të hollat e veta”. Megjithatë, perënditë e Tiranës që kishin vendosur ndalimin e çdo koncesioni, duke përfshirë edhe atë arkeologjik në Apoloni, e ndaluan Leon Rey-n të kthehej në Apoloni dhe lamtumira që i dha Apolonisë nga dritarja e avionit, ishte edhe ndarja e tij përfundimtare nga arkeologjia. Por jo nga Apolonia, ku tre vjet më pas dishepulli i tij, Hasan Ceka do të riniste gërmimet arkeologjike pikërisht në monumentet e filluara nga Leon Rey.
Ishte një mesazh i perëndive klasike, që ata ekzistojnë, fakti se një tjetër dishepull i tij, francezi Pierre Cabanes, do të vinte edhe ai 45 vjet më pas, për të rivendosur misionin francez arkeologjik të themeluar nga Leon Rey, tashmë në kushtet e një Shqipërie të sapodalë nga vetizolimi absurd, por edhe në kushtet e një parapërgatitje përmes tri dekadave të bashkëpunimit shkencor e njerëzor me Aleks Budën, Selim Islamin, Muzafer Korkutin, Faik Drinin dhe kolegë të tjerë.
Ishte një mesazh i thjeshtë, se perënditë egzistonin, si ato statujat antike, që u ndërrohej vetëm koka. Një mesazh në vendin e gabuar, sepse banesanë Apolloni shënonte rikrijimin e familjes franko-shqiptare të nisur nga etërit Leon Rey dhe Hasan Ceka, familje që ishte shtuar dhe përforcuar gjatë shkëmbimit të vizitave studimore midis Universitetit të Clermont- Ferrand dhe Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike të Akademisë së Shkencave, të temave studimore të trajtuara në Kuvendin e Dytë të Studimeve Ilire në Tiranë më 1985 dhe dy kuvendeve mbi Ilirinë e Jugut dhe Epirin, të mbajtura në ClermontFerrand më 1984 dhe 1990 nën drejtimin e Pierre Cabanes.
Pierre Cabanes ishte futur në këtë familje përmes librit të tij “Epiri që nga vdekja e Pirros deri në pushtimin romak”, botuar më 1976 në një vështrim krejt të ri për atë kohë, sepse siç shkruante ai në hyrjen e librit, “Epiri ka pozitën më të mirë për të reflektuar ndikimet e ndryshme të ardhura nga Greqia dhe Iliria…” dhe se ai libër “u bë i mundur për shkak të progresit të realizuar në kërkimet arkeologjike të çerekshekullit të fundit, si në Shqipëri, ashtu dhe në Greqi”. “Një nga gëzimet që më ka sjellë ky studim – vazhdonte ai më tej- qëndron në mikpritjen e ngrohtë që më kanë ofruar kolegët tanë shqiptarë dhe grekë”. Për këtë ai u shprehte mirënjohjen personaliteteve të kërkimeve arkeologjike në Epirin grek, Sotiris Dakaris dhe Julia Vokotopoulou dhe shtonte se “…nuk është më pak e fortë mirënjohja ime ndaj miqve të mi të Institutit të Historisë në Tiranë, që më dhanë mundësi të vazhdoja kërkimet e mia në trevat e tyre dhe të përdor punimet e tyre të rëndësishme, të cilat po i zhvillojnë që nga fundi i Luftës II Botërore. Në mënyrë të veçantë falënderoj z. Skënder Anamali…, që ka qenë një drejtues i shkëlqyer gjatë dy qëndrimeve të mia në Shqipëri, si dhe z. Selim Islami dhe gjithë kolegët e tyre që unë pata kënaqësinë t’i takoj në Tiranë”.
Ky ishte Pierrë Cabanes, modest, bashkëpunues dhe i drejtpërdrejtë me kolegët shqiptarë, grekë, maqedonas apo jugosllavë të kohës, pa kërkuar as t’u imponohej dhe as të merrte rrolin e liderit. Ishte, pa dyshim, një personalitet krejt tjetër nga ai që transmeton në mënyrë krejt naive një nekrologji e shkurtër e një gazete prestigjioze franceze sipas së cilës: “Duke punuar nga vitet 1970 në tokën shqiptare, ku u miqësua me një sërë kolegësh që vuajtën nga ashpërsia e një regjimi totalitar, historiani diti përgjatë gjysmë shekulli, me ndjenjën e tij të të dëgjuarit dhe ndjeshmërisë, të vendoste një dialog me përfaqësues të kombësive, të cilët qenë të gatshëm të copëtonin njëri-tjetrin në emër të një patriotizmi të ekzaltuar, duke mohuar bashkësinë e tyre të fatit që nga Antikiteti… pasi shqiptarët, maqedonasit dhe grekët përballen me njëri-tjetrin, duke përdorur arkeologjinë për të justifikuar pretendimet e tyre kombëtare, me një dhunë që nuk është aspak teorike”.
I citova këto fraza, sepse për ata që e kanë njohur dhe punuar më të nuk ka ekzistuar kurrë misionari Pierre Cabanes, i zbritur kushedi se prej ku në Shqipëri, apo Greqi “…me gatishmërinë, vëmendjen dashamirëse dhe empatinë ndaj gjithë popujve të kësaj xhungle europiane (farouche Europeéne)”, siç përmbyll artikulli i shkurtër jetën e gjatë të studiuesit. Sepse si nxënës, koleg dhe mik i gjeneratës së shquar të historianëve francezë të Antikitetit: Edouard Will, Pierre Vidal- Naquet, Louis Robert, Pierre Lévêque, Fernand Braudel, Jean-Pierre Vernant, Claude Mossé, etj., ai ishte formuar në atmosferën e Francës së viteve ‘60, kur kritika ndaj diktaturës në Greqi, protesta për luftën në Algjeri, kërkesa për një shtet palestinez, mbështetja e lëvizjes studentore, etj., ishin po aq afër interesave të tyre sa dhe studimi i jetës së Perikliut, apo deshifrimi i një mbishkrimi të lashtë grek. Diabolizimi si nacionalist i arkeologëve shqiptarë apo grekë të antikitetit nuk ka qenë kurrë temë e bisedave dhe aq më pak e shkrimeve të Pierre Cabanes dhe thirrja e tij si dëshmitar nga promovues të negativizmit, është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet kujtimit të jetës dhe veprës së tij.
Është e vërtetë që ka një botim të përbashkët të tij me Bruno Cabanes me titull “Passions Albanaises. De Berisha a Nano” (Pasione shqiptare që nga Berisha te Nano) me përmbajtje krejtësisht politike, besoj të përcaktuar nga bashkautori si studiues i historisë bashkëkohore. Në të ka dy sytheme tituj “Bazat e nacional komunizmit” dhe “Nacionalizmi arkeologjik”, ku i kushtohen pak faqe përdorimit nga nomenklatura komuniste i rezultateve të kërkimeve arkeologjike shqiptare si antidot për pretendimet shoviniste të fqinjëve grekë dhe serbë. Bëhet fjalë për teoritë pellazgjike apo atë etruske, të pëlqyera nga diktatori Enver Hoxha, por që nuk gjetën vend në kërkimet arkeologjike dhe gjuhësore në Akademinë e Shkencave të asaj kohe. Dialogu midis Enver Hoxhës dhe Moikom Zeqos, i cili konsiderohet në libër si arkeolog profesionist dhe vënia në një plan e studimeve antropologjike të Aleksandër Dhimës me librin dashamirës të Jakov Milaj “Raca shqiptare” gjithashtu nuk kanë të bëjnë me drejtimet që ndiqeshin atëherë nga albanologjia shqiptare. Në fakt, vetë diktatori rezulton si iluminist kur citohet të ketë shkruar në një artikull e tij të vitit 1969: “Unë mendoj se gërmimet e zhvilluara për zbulimin e monumenteve të kulturës botërore duhet të jenë në proporcione të drejta… dhe në vend të angazhojmë të gjitha forcat që kemi në dispozicion për të zbuluar mozaikët e Apolonisë, do të bënim mirë që t’i orientonim ato edhe ndaj zbulimit të të dhënave që do të provonin se tezat tona, duke mos qenë shoviniste, shërbejnë për të ndriçuar ekzistencën tonë si popull, kulturën tonë të bukur të antikitetit, që na e kanë mohuar pushtuesit e dikurshëm”.
Në përmbajtjen e tij udhëzimi i mësipërm nuk ndryshon shumë nga vlerësimi i vetë Pierre Cabanes për Kuvendin e Dytë të Studimeve Ilire, që u mbajt në Tiranë në shtator të vitit 1985, vetëm pak muaj pas vdekjes së diktatorit: “Kuvendi i dytë i Studimeve Ilire po mbyllet pas tri ditë punimesh të frytëshme. Trembëdhjetë vjet pas Kuvendit të Parë, ai dëshmon për përpjekjet e bëra nga historianët dhe arkeologët shqiptarë, të mbështetur vazhdimisht nga populli i tyre, që dëshiron të njohë të kaluarën e vet”. Natyrisht që brezi i arkeologëve shqiptarë që kanë punuar dekada në periudhën e diktaturës e kupton më mirë kodin e disa frazave, madje edhe artikujve të botuar prej tyre në revistat shkencore dhe ajo lloj “gjuhe e drunjtë” ishte kompromisi i vetëm me shpërgajat mbytëse të pushtetit. Nuk ka pasur kurrë një program të nacionalizmit në arkeologjinë shqiptare dhe askush nuk ka qenë udhëzuar dhe detyruar të interpretojë ndryshe materialin arkeologjik, përveçse në mënyrë profesionale. Ishte thjesht çështje e fatit historik që tezat që rridhnin nga dëshmitë arkeologjike përkonin me antitezat politike kundër pretendimeve shoviniste ndaj kombit shqiptar. Për këtë arsye nuk po zgjatem në kritikën e “nacionalizmit arkeologjik shqiptar”, të argumentuar me histori episodike, larg stilit dhe koncepteve historike të Pierre Cabanes, besoj me pak pasion nga bashkautori i librit të lartpërmendur.
Pierre Cabanes pati një vizion krejt tjetër nga takimi i tij me ambientin arkeologjik shqiptar të Tiranës dhe grek të Janinës, që e pasqyroi menjëherë në librin e tij të parë si program për gjithë studimet e tij mbi Epirin dhe Ilirinë e Jugut. Atje ku shumë paraardhës të tij të historiografisë europiane të Antikitetit kishin parë një Epir dhe Iliri të prapambetur, me një qytetërim të zbehtë si refleks i ndikimit të kolonive helene të bregdetit, ai zbuloi një realitet historik krejt tjetër. Në librin e tij, “Epiri që nga vdekja e Pirros deri në pushtimin romak”, botuar më 1976, ai shkruante: “Epiri nuk ka qenë një vend pak i zhvilluar, apo i prapambetur, siç thuhet shpesh. Përkundrazi, organizimi i tij i brendshëm ka qenë shumë kompleks dhe i strukturuar që nga shekulli IV p. Kr., por edhe i ndryshëm nga ai i qyteteve greke dhe për këtë arsye na çudit. Në të vërtetë kemi të bëjmë me një tjetër tip shoqërie, evolucioni i së cilës nuk ka qenë i njëjtë me atë të Greqisë. Ndoshta për këtë arsye mund të flasim për një komunitet qytetërimi me Maqedoninë dhe Ilirinë e Jugut”. Sot, pas 50 vjetësh, kur ka qenë shkruar ky postulat, kush mund të thotë nëse penda ka qenë e Pierre Cabanes, Hasan Cekës, Selim Islamit, Skënder Anamalit apo Frano Prendit dhe cili prej tyre duhet të mbërthehet nga negativistët në shtyllën e nacionalistit ballkanik?
Libri tjetër themelor i Pierre Cabanes “Ilirët nga Bardhyli te Genti” është shkruar me të njëjtën pendë dhe me të njëjtat koncepte dhe është e vështirë të dallosh faqe të tëra të tij nga ato të shkruara nga Selim Islami për historinë e Mbretërisë Ilire, apo nga ato të Frano Prendit për kulturën e qyteteve ilire. Një e katërta e atij libri me titull “Transformimet shoqërore dhe ekonomike”, ka si objekt kryesor qytetet e Ilirisë së Jugut dhe është mbështetur krejtësisht në rezultatet e kërkimeve arkeologjike, po aq sa edhe në konceptet historiografisë shqiptare për antikitetin ilir. Po citoj këtu dy fraza që kanë të bëjnë me qytetet koloni greke dhe me qytetet ilire dhe kush mund të thotë nëse i ka shkruar Pierre Cabanes, Hasan Ceka, Selim Islami apo Frano Prendi? Për kolonitë helene të bregdetit: “Stelat e varreve, veçanërisht ato të gjetura në kodrat e Dyrrahut, janë të pasura jo me emra grekë, por me ilirë… Kjo është sigurisht shenjë e depërtimit të popullsisë vendëse në qytetin e Dyrrahut, të cilët ngjisnin pak nga pak shkallët e shoqërisë… Selim Islami ka vënë në dukje gjithashtu praninë e emrave ilirë midis magjistratëve eponimë… Qytetet humbasin pjesërisht karakterin e tyre të pastër helenik, nëse e kanë pasur ndonjëherë… Pa dyshim rezultati është një qytetërim i përzierë, ku kultura zotëruese imponohet në shumë fusha, por ku popullsia vendëse vazhdon të ruajë traditat e saj…”. Për qytetet ilire: “Ky zhvillim i qytetit nuk duhet parë thjesht si rezultat i ndikimeve nga Jugu, apo nga qytetet koloniale; ai duhet interpretuar gjithashtu edhe si rezultat normal i zhvillimit tipik për Ilirinë e Jugut, duke ndjekur një proces transformimi ekonomik-shoqëror… që diktoi mënyra të reja të shfrytëzimit të tokës, zhvillimin e shkëmbimeve dhe formimin e qendrave të vogla urbane, të cilat grupojnë funksione të ndryshme: tregun, qendrën administrative dhe politike… qendrën e prodhimit zejtar dhe të punishteve të specializuara”.
Thjesht do të përgjigjesha: këtë e ka shkruar njëri nga tanët dhe ky është Pierre Cabanes, pjesëtar i asaj elite studiuesish, të cilët në kushte jo normale ndoqën me ndërgjegje maksimën e Eqrem Çabejt se: “Do të ishte një punë joshkencore, madje dhe naive, të projektoheshin rrethanat e sotme, si të thuash, në vijë të drejtë me të kaluarën”. Kjo vlen jo vetëm në raportin e kërkimeve bashkëkohore me realitetet antike, por edhe me gjykimin e së sotmes ndaj kontributit të gjeneratës së manjifikëve, që krijoi arkeologjinë dhe historinë e lashtë të Shqipërisë në dekadat kur mungonin mjetet, librat, kontaktet me kolegët e huaj dhe mbi të gjitha liria, jo vetëm liria akademike. Por sa e ndryshme do të kishte qenë historia e lashtë e Shqipërisë dhe kompleksi i siteve dhe muzeve arkeologjikë të vendit tonë, sikur qoftë edhe një prej atyre studiuesve t’i kishte munguar atij konstelacioni të papërsëritshëm dijetarësh dhe burrash. Vetëm mungesa e Pierre Cabanes do të na kishte lënë pa librat dhe artikujt themelorë mbi historinë e lashtë të Shqipërisë; pa botimin e pesë vëllimeve të korpusit të mbishkrimeve antike të Epirit dhe Ilirisë së Jugut; pa Hartën Arkeologjike të Shqipërisë. Do të kishim mbetur pa kuvendet mbi Epirin dhe Ilirinë e Jugut në Antikitet, që ishin tryeza të mirëfillta të diskutimit shkencor, po aq sa edhe të përcaktimit të drejtimeve kryesore të kërkimeve të ardhshme historike dhe arkeologjike; pa përgatitjen e një gjenerate të tërë frankofone të arkeologëve shqiptarë; pa ekspeditat arkeologjike shqiptare franceze në Apoloni dhe Bylis; pa banesën e arkeologëve në Apoloni dhe mbi të gjitha pa atë ndjenjë të sinqertë solidariteti dhe bashkëpunimi që i lidh edhe sot arkeologët e Epirit antik dhe Ilirisë së Jugu.
Mungesa e Pierre Cbanes është njëkohësisht edhe një realitet për të ardhmen. Provën e parë e pata atë ditë të vizitës sime në Apoloni, kur u gjenda para një mbishkrimi antik të gjetur rastësisht muaj më parë në fshatin Ruzhdie të Mallakastrës, pra në territorin e Bylisit, ku unë punoj që prej katër dekadash. E dija që Pierre Cabanes kishte marrë një kopje të tij dhe e kisha pyetur në një email që i pata nisur pak javë më parë. Nuk kisha marrë përgjigje dhe tani e kam kuptuar, se mjeshtri ishte nisur këto kohë drejt Përjetësisë. Kush do ta deshifrojë tani mbishkrimin, pyeta veten, sepse edhe nxënësi i tij shqiptar, Faik Drini, është në përjetësi që prej dy vjetësh. Apolonia më solli edhe një ngushëllim, sepse ishim aty dy vjet më parë me Pierre Cabanes, si për të festuar nderet që iu bënë në vizitën e tij të fundit në Shqipëri. I ftuar për të mbajtur një kumtesë në seancën plenare të Konferencës së Studimeve Albanologjike, atij iu dha çmimi “Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”. Po me propozim të Akademisë, Presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta, i akordoi Pierre Cabanes dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, vetëm pak muaj pasi kishte dekoruar me të njëjtin urdhër edhe pararendësit e tij të Apolonisë, francezin Leon Rey dhe shqiptarin Hasan Ceka.
Atë pasdite apolloniate, kur dielli po i afrohej horizontit të Adriatikut dhe hapësira midis Manastirit të Apolonisë dhe kodrës së tempullit të Apolonit po mbulohej nga hijet e mbrëmjes perifrazova me mendje Leon Reyn: “Për ata që besojnë se perënditë klasike nuk ekzistojnë, unë kisha tani provën që vullneti i tyre ushtrohet përherë: Apolonia do të mund të ngrihej nga rrënojat e saj dhe nuk do të mbetet e dënuar në harresë”.