Ekonomia

Programi ynë për rimëkëmbjen ekonomike, Basha: Taksa e sheshtë 9%, ulje e madhe e barrës fiskale

Kryetari i PD, Lulzim Basha zhvilloi sot një takimi me përfaqësues të Shoqatës së Fasonëve ku shpjegoi Programin Ekonomik të PD.

Basha tha se programi i propozuar nuk është një paketë premtimesh, por angazhime që merr qeveria e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas tij, ky program nuk është program mrekullish, por program normalizimi dhe rimëkëmbje të ekonomisë dhe me të fiton Shqipëria.

Basha tha se sektori i fasonëve është një nga sektorët kyç të ekonomisë Shqiptare me numrin më të madh të personave që punësojnë.  “Zhvillimet e viteve të fundit, duke përfshirë edhe zhvillimet e pandemisë, nga njëra anë ju kanë dëmtuar, ju kanë goditur rëndë. Mbi 15 mijë veta kanë humbur vendin e punës vetëm në sektorin tuaj, ky është lajmi i keq. Lajmi i mirë është që si pasojë e zhvillimeve globale, tregjet kryesore ku ju çoni produktin tuaj po mendojnë të zhvendosin apo të fuqizojnë zinxhirin e furnizimit që do të thotë që në qoftë se Shqipëria njësoj si vendet e tjera të rajonit tonë janë gati kontratat tuaja mund të rriten, mund të shumëfishohen dhe aftësia juaj për të punësuar më shumë njerëz dhe për t’i paguar më mirë mund të rritet”, tha ai.

Basha shtoi se “propozimet tona janë të qarta dhe janë të provuara që funksionojnë. Taksa e sheshtë 9% është një ulje jashtëzakonisht e madhe krahasuar me taksën 15% që ju paguani. Çmimi i naftës 240 lekë të vjetra për litër karburant i shtuar në këto 8 vite. Çdo litër naftë prej ditës së parë të qeverisë të dalë nga vota e 25 Prillit do të jetë 240 lekë më i lire”.

Kjo, tha ai, do të reflektohet edh në vlerën e koston e prodhimit tuaj dhe në aftësinë tuaj për të konkurruar me ofertën tuaj ne tregun Europian dhe më gjerë.

Më tej, Basha tha se “për biznesin prodhues e njëjta masë do të merret me energjinë elektrike” Ai shtoi se  politika e premtimeve të pambajtura ka dështuar dhe pikërisht për këtë arsye, kjo politikë e premtimeve boshe sulmon programin që Shqipëria fiton.

“Gjëja e parë është të ndalim largimin e forcës punëtore apo paaftësinë tuaj për të vazhduar për të mbajtur forcën punëtore për shkak të gjithë problematikave që diskutuam deri tani”, tha Basha ndërsa shtoi se “po kaq e rëndësishme është rimëkëmbja e industrisë në tërësi. Dhe ne besojmë që me masat që kemi prezantuar, jo vetëm për sektorin tuaj, por edhe me masat specifike për sektorin tuaj rimëkëmbja e industrisë së fasonëve në Shqipëri është plotësisht e mundur brenda 12-18 muajve të pare”.

“Kjo kohë nuk ka pse të humbet, por gjatë kësaj kohe ne mund të ndërtojmë së bashku vizionin jo thjesht për të mbajtur por për të zgjeruar dhe kapur tregjet e reja që mund dhe do të na ofrohen me lëshimet që po ndodhin si rezultat i ndryshimit të zinxhirit të furnizimit të Europës Perëndimore që është dhe tregu kryesor i fasonëve shqiptarë. Pra, të treja këto objektiva janë të gërshetuara. Stabilizim, rimëkëmbje dhe pastaj zgjerim në bazë të një vizioni të përbashkët”, shtoi Basha

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button