“Projekti do realizohet”- Çështjet “Kushner” dhe “SHISH”, Rama flet nga Luksemburgu: Sistemi po funksionon, po luf
Kryeministri Edi Rama ka komentuar projektin e investimit të Jared Kushner në Shqipëri, duke ftuar të interesuarit ta vizitojnë vendin për të kuptuar nga afër ambicien dhe përmasat e projektit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp pas Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, Rama u ndal edhe te reagimet dhe protestat e zhvilluara për këtë çështje, duke deklaruar se ato kanë ndikuar në përmirësimin e projektit.
Duke iu përgjigjur gazetarit në sallë i cili e pyeti për arrestimin e kreut të SHISH Vlora Hysenin, kryeministri tha se askush nuk është mbi ligjin dhe se sistemi ka nisur të funksionojë.
“Do t’ju ftoja të vinit në Shqipëri, sepse kur e sheh nga jashtë mund të hutohesh, të ngatërrohesh, dhe po ta shihni me kaq filtra të medias online, do të jeni të paqartë. Projekti i Kushner përfshin shumë më tepër se një emër, është një projekt për të cilin kemi një ambicie të madhe. Duam ta realizojmë si një model për mënyrën se si të investojmë e si të zhvillojmë në kohët e sotme, në harmoni me natyrën.
Më duhet t’ju them se edhe manifestimet që janë përcjellë e transmetuar në mbarë botën kanë ndihmuar për ta përmirësuar dhe për ta bërë të ecë drejt rezultateve që do të jenë bindëse për më shumë njerëz sesa në fillim. Mbetet për t’u provuar dhe bazuar në fakte, ndaj presim me padurim kur do të tregojmë të gjithë punën që po bëhet.
Mund ta kuptoni shumë mirë se ç’nënkupton kur flasim për situata kur drejtësia bën punën e vet. Kjo është ajo për të cilën kemi nevojë. Kjo tregon se sistemi ka nisur të funksionojë. Kur e nisëm këtë rrugëtim, në këtë vend njiheshim si ‘atdheu i kulturës së pandëshkueshmërisë’. Vijmë këtu sot dhe njihemi si një prej vendeve pararojë, edhe sepse kultura e pandëshkueshmërisë ka mbaruar dhe askush nuk është mbi ligjin. Ai dje ishte sistem i kontrolluar nga korrupsioni dhe sot lufton korrupsionin. Kështu duhet të ecim ne përpara”, tha Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.