Ekonomia

Projekti i Unazës së Re, transformimi rrënjësor i hyrjes së Tiranës / U shty nga një protestë e ushqyer politikisht

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “projekti për ndërtimin e Unazës së re, aq i domosdoshëm për banorët e asaj zone, por edhe gjithë Tiranës u shty për shkak të një proteste shumë fort të ushqyer politikisht”.

“U bllokua ajo zonë nga protestat e keqkuptimet e manipulimet e mëdha që u bënë, shkak i një tensioni absurd që faktikisht mbajti peng hyrjen e qytetit për muaj e muaj të tërë, pasi në një orë të caktuar qarkullimi aty bëhej i vështirë, për shkak të një proteste që synonte të zbrapste projektin, por që në thelb ishte një protestë shumë fort e ushqyer politikisht, për qëllime që dihen dhe ku viktimat ishin ata që përdoreshin në këtë protestë edhe pse dalja e tyre ishte e sinqertë dhe ata besonin se po bënin gjënë e duhur”, u shpreh Rama.

Viktima, u shpreh Rama, sepse ata banorë të asaj zonë nga ky projekt janë përfituesit më të mëdhenj.

“Transformimi rrënjësor i hyrjes së Tiranës, e cila faktikisht kthehet në një hyrje me një fluiditet shumë të lartë të qarkullimit dhe zgjidh një problem, pasi ishte gjithmonë e më shqetësues për qytetarët. Por përfituesit janë banorët e atij pellgu, sepse infrastruktura që po ndërtohet aty do të rris në mënyrë të ndjeshme vlerën e pronës aty dhe investimet për infrastrukturën dhe hapësirat e tjera do të krijojnë potencial të madh për të ndërtuar në mënyrë cilësore dhe për të krijuar lagje që janë shumë më pranë e shumë më me vlerë nga pikëpamja e pronës”, tha Rama.

Me shtyrjen përpara të procesit, tha Rama, në atë zonë që vjen vetvetiu si rezultat i infrastrukturës që po zbatohet aty do të kërkohet edhe ndërtimi i infrastrukturës shkollore parauniversitare e shëndetësore, çerdhe e hapësira të tjera rekreative e sportive.

“Në thelb, ai projekt është një projekt, që do t’u sjellë atyre që protestuan e atyre që jetojnë aty e nuk protestuan, një rritje të ndjeshme të vlerës së pronës së tyre dhe mundësisë për të jetuar në një lagje kaq pranë qendrës së Tiranës dhe që deri dje dukej kaq larg, si rezultat i mungesës së këtij projekti”, u shpreh kryeministri.

Lidhur me debatin për koston e këtij projekti, kryeministri kërkoi që njerëzit të mos bien preh e mjeteve të ulëta të propagandës kundër projekteve.

“U bë një debat i madh, absurd që zhvillohet vazhdimisht lidhur me koston, në mënyrë djallëzore e hileqare, duke krijuar idenë që 1 km rrugë ishte me një kosto aq të madhe sa bëhej fjalë për një grabitje të shekullit. Në fakt po të shikosh atë që po ndodh aty, në atë kantier, sheh se bëhet fjalë për një kantier që zhvillohet 20 m nën nivelin e Lanës, janë 5 tunele që po ndërtohen dhe bëhet fjalë për një projekt kaq kompleks inxhinierik. Pastaj e kupton se kilometrat e rrugëve nuk janë si metrat e teritalit që kushtojnë njëlloj”, u shpreh kryeministri.

Sipas Ramës, kilometrat e rrugëve varen nga çfarë ndërtohen në atë km, varen nga ku është ai km, ose përmes cilës zonë.

“Nëse një kilometër është në zonë kënetore apo mes qytetit ose mes një zone shkëmbore, është tjetër infrastruktura mbajtëse e peshave që do të kalojnë. Pastaj varet çfarë ndërtohet, është një km lineare, apo një km ku ka urë mbrenda, tunel apo nyje. E them këtë se është moment për t’a sqaruar me fakte, sepse nuk është një projekt që tregohet me 3D, video apo letra. Ky është një projekt që po ndërtohet atje dhe shpresoj që kjo të shërbejë që njerëzit të mos bien preh e mjeteve të ulëta të propagandës kundër projekteve”, deklaroi kryeministri.

Ndërkohë, tha Rama, thelbi është çfarë ndërtohet përgjatë atij km.

“Një kilometër në mal ka tjetër kosto, në fushë tjetër kosto, një km në ish-kënetë tjetër dhe një km lineare tjetër dhe një ku ka vepra arti tjetër”, sqaroi Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button