Ekskluzive / “Nuk ishte puna të dorëzohesha” – Hajdin Limoni rrëfen për Telegrafin si shpëtoi katër të rinj nga vetura në flakë në Zvicër
Hajdin Limoni, shqiptari nga komuna e Gjilanit që u bë hero në Wohlen të Zvicrës pasi shpëtoi katër të rinj nga një veturë që po digjej pas një aksidenti, ka rrëfyer ekskluzivisht për Telegrafin momentet dramatike të ndërhyrjes së tij dhe reagimet që pasuan.
Në një intervistë nga shtëpia e tij në Zvicër, Limoni tregoi se po kthehej në shtëpi kur vërejti zjarrin. Fillimisht mendoi se po digjej mali, por pasi u afrua dhe pyeti të pranishmit, kuptoi se brenda veturës kishte njerëz, shkruan Telegrafi.
– YouTube youtu.be
Sipas tij, flakët ishin aq të mëdha, sa personat që ndodheshin aty kishin frikë t’i afroheshin veturës. Limoni u kërkoi të ndihmonin dhe ndërhyri menjëherë për t’i nxjerrë të rinjtë.
“E kam çelur derën dhe e kam nxjerrë njërin pas tjetrit. I kam qitur jashtë dhe kam thënë: ‘Hiqmini prej flakës!’”, rrëfeu ai.
Limoni shpjegoi se fillimisht i nxori vetë nga vetura, ndërsa të pranishmit më pas e ndihmuan për t’i larguar nga rreziku.
“Prej flakës i kam nxjerrë unë, pastaj ata i kapnin”, tha ai.
Hajdin Limoni duke treguar ngjarjen me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.Foto: Telegrafi
Të rinjtë, sipas rrëfimit të tij, ishin të moshave nga 17 deri 21 vjeç. Ai tregoi se disa prej tyre ishin pa vetëdije dhe nuk mund të komunikonin.
Ndërhyrja për ta nxjerrë shoferin ishte veçanërisht e vështirë. Flakët po i afroheshin fytyrës së tij, ndërsa rripi i sigurimit e pengonte nxjerrjen.
“Kur e kam çelur derën e shoferit, e kishte kokën të lëshuar teposhtë dhe flaka po i shkonte fytyrës. Nuk kam mundur ta fus dorën poshtë për t’ia hequr rripin”, tregoi Limoni.
Për ta liruar, ai kërkoi një mjet me të cilin mund ta priste rripin.
“Kam kërkuar një brisk dhe ma kanë dhënë një thikë. E kam prerë rripin dhe e kam nxjerrë”, tha ai, duke theksuar se ndërhyrja ishte çështje minutash.
Gjatë shpëtimit, Limoni pësoi lëndime në ballë dhe në dorë. Megjithatë, vazhdoi të ndihmonte, pasi të rinjtë ende ndodheshin në rrezik.
“Po, e vërejta, por nuk ishte puna të dorëzohesha aty”, u shpreh ai.
Limoni tha se u qëndroi pranë deri në fund, ndërsa më pas ekipet mjekësore e dërguan edhe atë në spital për kontrolle dhe trajtim.
“U thash, unë nuk kam asgjë. U kam ndihmuar deri në fund”, rrëfeu ai. Për gjendjen e tij aktuale shtoi: “Kam dhimbje, por jam më mirë”.
Hajdin Limoni
Veprimi i tij mori vëmendjen e mediave zvicerane dhe u prit me mirënjohje nga qytetarët e kolegët e punës. Ai tregoi se kolegët organizuan një drekë, ndërsa shumë njerëz kërkuan të bënin fotografi me të.
“Njerëzit më ndalnin për të më falënderuar: ‘Ti je hero, ti je hero’. Nuk isha mësuar me këtë”, tha Limoni.
Një falënderim i veçantë i erdhi nga babai i njërës prej vajzave të shpëtuara, i cili e kontaktoi pas ngjarjes.
“Babai i njërës vajzë më ka telefonuar dhe më ka falënderuar që e kam nxjerrë prej flakës”, tregoi ai.
Ekipi nga Telegrafi dhe Plan B Creative gjatë vizitës në shtëpinë e Hajdin Limonit
Limoni tha se në momentin e ndërhyrjes nuk dinte asgjë për identitetin apo prejardhjen e të rinjve. Mendimi i tij ishte vetëm t’i nxirrte nga vetura që po digjej.
I pyetur nëse do të vepronte sërish njësoj, ai u përgjigj pa hezitim, duke përcjellë edhe një apel për qytetarët.
“Po, po. Kudo që të jetë kështu, nuk kaloj. Edhe në televizionet zvicerane kam apeluar: ‘Ndihmoni, mos kaloni!’”, përfundoi Limoni. /Telegrafi/.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.