Projektligji për Byronë kalon në Komision, Haxhiu ngre pretendime për antikushtetutshmëri
Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim ka miratuar me shtatë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Zëvendëskryetari i parë i Komisionit, Fahrush Rexhepi, tha se projektligji, i cili përmban 88 nene dhe 12 amendamente, nuk i cenon të drejtat dhe interesat e komuniteteve në Kosovë.
“Përcaktimi i kompetencave të byrosë shtetërore për verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme si dhe përcaktimi i procedurës për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ky projektligj ka gjithsej 88 nene dhe 12 amendamente, të Komisionit Përgjegjës Raportues, pra bazuar në shkresat përcjellëse paraprake të këtij projektligji, mund të konstatojmë se ky projektligj nuk i cenon në asnjë mënyrë të drejtat dhe interesat e komuniteteve në Kosovë”, tha ai.
Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, deklaroi se, pavarësisht se do ta votojë projektligjin, ajo e konsideron atë antikushtetues. Sipas saj, Qeveria nuk ka pasur vullnet që t’i rregullojë nenet e tij, me qëllim që ligji të mos zbatohet.
“Eshtë një ligj që ka ardhur disa herë në Kuvend, sado që nuk jemi komision funksional, komision që e kemi shqyrtuar, dmth, ose e shqyrtojmë amendamentet në fjalë. Unë që nga fillimi, që kur e kam parë për herë të parë që ka ardhur një ligj i tillë, vërtet e kam menduar që e ka seriozisht, ose po mendojmë me e pa seriozisht, dikush në këtë vend. Mirëpo, tash, meqë unë për herë të parë jam në këtë komision, po ju them që qeveria në fjalë, nuk e ka interes me kalu një ligj të tillë, e ka vetëm sa për të thënë në opinion, do doja vërtet që një ligj i tillë të ishte ligj që zbatohet, por në bisedë e sipër me njerëz profesionistë, juristë të njohur, ma kanë thënë decidivisht që ky ligj është antikushtetues, dhe me qëllim nuk po dojnë pushteti, qeveria nuk ka dashtë me i rregullu nenet, vetëm për mos me hy në fuqi, sepse normal ne do ta votojmë sa herë të vjen, për me tregu që s’kemi pse frigohem. Frigi normal se e ka pushteti, por edhe një herë po them, ky ligj është antikushtetues dhe krejt me qëllim, qeveria e kalon antikushtetues, vetëm mos me u zbatu një ligj i tillë. Prandaj, si të tillë, fatkeqësisht, prapë po e them, është antikushtetues, por prapë do ta votojmë, do ta votojmë çdo herë”, tha ajo.
Ndërkaq, Rexhepi tha se nuk mund të konstatonte nëse projektligji është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, duke shtuar se nuk do ta përkrahte një ligj që do të ishte në kundërshtim me të.
“Atëherë, lidhur me atë që e tha deputetja znj. Haxhiu, se ky ligj, ose projektligj, fillimisht bie ndesh me kushtetutën, me Kosovës, nuk mund të konstatoj as ta vërtetoj këtë. Po me vetëdijen time, asnjëherë nuk do ta kisha përkrahur këtu një ligj që bie ndesh me kushtetutën e Kosovës. Por tani, nuk e di sa mundem me konstatu se bie ndesh apo nuk bie ndesh me nenet e kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ai. /KP/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.