Shqipëria ka nevojë për politikanë që jetojnë për politikën, jo që jetojnë nga politika
Në veprën e tij të njohur “Politika si Profesion [Politik als Beruf]”, Max Weber dallon ata që jetojnë për politikën, duke e parë atë si shërbim ndaj shoqërisë dhe përgjegjësi publike, nga ata që jetojnë nga politika, duke e kthyer atë në burim përfitimi dhe karriere personale. Ky dallim mbetet aktual edhe sot, sepse problemi lind pikërisht atëherë kur ruajtja e pushtetit dhe e privilegjeve bëhet më e rëndësishme se interesi publik që politika duhet të përfaqësojë.
Pikërisht këtu qëndron një nga problemet më të mëdha të kulturës politike shqiptare.
Kriza politike dhe institucionale që po përjeton Shqipëria nuk duhet parë vetëm si një përplasje mes qeverisë dhe opozitës, apo si një konflikt rreth qëndrimit të një kryeministri në pushtet. Ajo duhet parë edhe si një krizë e përgjegjësisë politike.
Një demokraci nuk mund të funksionojë në mënyrë të shëndetshme kur institucionet, përfaqësimi parlamentar dhe vendimmarrja politike përqendrohen gjithnjë e më shumë rreth interesit për të ruajtur pushtetin.
Kur besnikëria ndaj udhëheqësit bëhet më e rëndësishme se besnikëria ndaj qytetarëve, kur disiplina partiake zëvendëson gjykimin personal dhe kur mbajtja e një pozicioni politik bëhet qëllim në vetvete, atëherë demokracia fillon të humbasë përmbajtjen e saj.
Një deputet nuk është zgjedhur për të votuar automatikisht çdo vendim të qeverisë, por për të përfaqësuar interesin publik, për të ushtruar kontroll mbi pushtetin ekzekutiv dhe për të mbrojtur funksionimin e institucioneve.
Prandaj, në situatën aktuale të Shqipërisë, pyetja nuk duhet t’u drejtohet vetëm atyre që qeverisin, por edhe atyre që kanë mandatin dhe mundësinë për t’i kontrolluar.
Ndryshimi duhet të fillojë nga brenda. A janë deputetët të gatshëm të vendosin interesin e vendit mbi interesin e karrierës së tyre politike?
Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Por ndryshimi nuk duhet të reduktohet në zëvendësimin e një kryeministri me një tjetër apo të një partie me një tjetër.
Rotacioni politik është një element i rëndësishëm i demokracisë, por nuk garanton vetvetiu ndryshimin e kulturës politike.
Për këtë arsye, një nga zhvillimet më të rëndësishme që mund të ndodhin në Shqipëri do të ishte një proces real reflektimi dhe ndryshimi brenda vetë forcës politike në pushtet.
Deputetët, ministrat dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste nuk janë thjesht spektatorë të zhvillimeve politike. Ata janë pjesë e mekanizmit institucional dhe mbajnë përgjegjësi për funksionimin e tij.
Nuk është e nevojshme që të gjithë të largohen nga partia apo të bëhen pjesë e opozitës. Por është e nevojshme të fitojnë pavarësinë e gjykimit të tyre politik dhe të bëhet e qartë se përfaqësimi parlamentar nuk mund të barazohet me bindjen e pakushtëzuar ndaj udhëheqjes partiake.
Diferencimi politik, kërkesa për llogaridhënie dhe refuzimi për të mbështetur praktika që dëmtojnë institucionet nuk janë akte tradhtie. Janë shprehje të përgjegjësisë politike.
Ndryshimi i vërtetë demokratik mund të fillojë pikërisht aty. Nga njerëz që ndodhen tashmë brenda sistemit dhe vendosin të veprojnë sipas kritereve të tjera.
Sigurisht, përgjegjësia për krizën politike nuk i përket vetëm qeverisë. Edhe opozita ka detyrimin të paraqesë një alternativë të besueshme dhe të dëshmojë se mund të ofrojë një model tjetër qeverisjeje.
Shoqëria nuk ka nevojë thjesht për një forcë politike që do të zëvendësojë atë ekzistuese. Ka nevojë për një mjedis politik ku pushteti kontrollohet, institucionet dhe administrata publike funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe përgjegjësia politike ka kuptim real.
Një tranzicion i mundshëm politik duhet, për këtë arsye, të mbështetet në një marrëveshje më të gjerë demokratike, me angazhime konkrete për pavarësinë e drejtësisë, transparencën, administratën publike dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të besueshme.
Nuk mjafton të ndryshojë qeveria. Duhet të ndryshojnë edhe rregullat dhe mënyra se si ushtrohet pushteti.
Perspektiva Europiane si standard i përgjegjësisë politike
Perspektiva Europiane e Shqipërisë nuk duhet të trajtohet si një avantazh komunikimi për qeverinë e radhës. Ajo është një proces afatgjatë i reformimit institucional dhe shoqëror, që kërkon qëndrueshmëri politike dhe respekt për parimet demokratike.
Tradita demokratike Europiane nuk matet vetëm me zgjedhjet apo me rotacionin e qeverive. Ajo matet me aftësinë e institucioneve për të funksionuar në mënyrë të pavarur nga udhëheqja politike dhe nga gatishmëria e politikanëve për të marrë përgjegjësi për vendimet e tyre.
Këto janë standardet drejt të cilave duhet të konvergojë Shqipëria, jo vetëm për të përparuar në negociatat e anëtarësimit, por mbi të gjitha për të ndërtuar një vend ku qytetarët mund t’u besojnë institucioneve të tyre.
Ndaj diskutimi për të ardhmen e Shqipërisë nuk mund të kufizohet te pyetja se kush do të ulet nesër në karrigen e kryeministrit.
Ai duhet të përqendrohet te lloji i politikanëve që i duhen vendit dhe te kultura politike që shoqëria shqiptare dëshiron të ndërtojë.
A do të vazhdojmë të kemi politikanë që e konsiderojnë pushtetin si një të drejtë personale dhe pozicionin politik si një mjet për sigurinë dhe përfitimin e tyre? Apo do të kemi politikanë që e kuptojnë se mandati i tyre është një përgjegjësi e përkohshme, e shoqëruar me detyrime dhe llogaridhënie?
Dallimi që bëri Max Weber mbetet aktual pikërisht sepse ngre një pyetje së cilës çdo shoqëri demokratike duhet t’i japë përgjigje. Cilat janë motivet e vërteta të atyre që kërkojnë dhe ushtrojnë pushtetin politik? Të jetojnë për politikën apo të jetojnë nga politika?
Shqipëria nuk ka nevojë thjesht për politikanë të rinj. Ka nevojë për një konceptim tjetër të politikës.
Shqipëria ka nevojë për njerëz që janë të gatshëm të humbasin një pozicion pushteti, nëse kjo kërkohet për të mbrojtur interesin publik. Për njerëz që zgjedhin t’i shërbejnë politikës, në vend që të varen prej saj.
Sepse, në fund të fundit, demokracia nuk rrezikohet vetëm kur pushteti përqendrohet në pak duar. Ajo rrezikohet edhe kur ata që kanë detyrimin për ta kontrolluar, humbasin pavarësinë e gjykimit dhe guximin për ta bërë këtë.
*Panajota Seva-Agolli është një studiuese dhe specialiste e Politikave Europiane me bazë në Athinë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.