Prokuroria e Tiranës nis hetim për dëmtimin e Erjon Vishkullit, hetime edhe për dhunën e policisë në protesta
Prokuroria e Tiranës ka dalë këtë të hënë me një njoftim zyrtar ku ka bërë me dije se ka nisur hetim lidhur me lëndimin e Erjon Vishkulli gjatë protestave në kryeqytet. Sipas njoftimit, Prokuroria ka nisur veprimet e nevojshme hetimore, si dhe ka marrë pamje filmike nga Banka e Shqipërisë.
Gjithashtu Prokuroria ka marrë kartelën mjekësore pranë Spitalit Universitar të Traumës, si dhe kryerjen e veprimeve hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ndër të tjera bëhet me dije se po hetohet edhe dëmtimet e disa personave të tjerë pas dyshimeve për përdorimin jo proporcional të forcës nga disa punonjës së policisë në protesta.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë bën me dije se ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.7806, të vitit 2026, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal, në lidhje me dëmtimin e shtetasit E.V. gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet.
Menjëherë pas ngjarjes të regjistruar më 24.10.2026, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ndër të cilat si administrimi i pamjeve filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, marrja e kartelës mjekësore pranë Spitalit Universitar të Traumës, si dhe kryerja e veprimeve hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Gjithashtu, në kuadër të hetimeve po punohet për përcaktimin e mënyrave konkrete të komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim përcjelljen e një letërporosie drejtpërdrejt pranë këtyre autoriteteve.
Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.
Gjithashtu në të njëjtin procedim po hetohet dhe po kryhen veprime në lidhje me dëmtimin e disa shtetasve, pas dyshimeve për përdorimin jo proporcional të forcës nga disa punonjës së policisë së shtetit në protesta.
Deri në këtë fazë janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të shtetasve të dëmtuar dhe po kryen verifikimet për këto raste me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.