Protesta në Iran pas vdekjes së 13 punonjësve të rafinerisë
Qindra protestues dolën të martën në rrugët e Abdananit, në jugperëndim të Iranit, shkruan Associated Press, pasi një aksident rrugor në fundjavë i mori jetën 13 punonjësve të një kompanie rafinerie. Turma kërkoi dorëheqjen e zyrtarëve të kompanisë, të cilët i fajëson për tragjedinë, ndërsa disa prej tyre brohoritën edhe slogane kundër qeverisë.
Në pamjet e verifikuara nga Associated Press, protestuesit dëgjohen duke brohoritur “Vdekje diktatorit!”, ndërsa në një tjetër video të shpërndarë nga grupi i të drejtave të njeriut HRANA, turma marshon në qendër të qytetit duke kërkuar llogari për vdekjet.
Abdanan, një qytet kryesisht kurd rreth 480 kilometra në jugperëndim të Teheranit, ishte një nga vatrat e protestave më të mëdha kundër qeverisë në janar, të parat të kësaj përmase që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Sipas organizatave monitoruese, forcat e sigurisë qëlluan dhe arrestuan mijëra njerëz gjatë atyre protestave.
Grupi Hengaw bëri të ditur se të paktën shtatë persona u arrestuan pas protestave të së martës, ndërsa dy prej tyre, mes tyre një djalë 15-vjeçar, u liruan më vonë.
Protesta e së martës vjen në një klimë frike nga një shtrëngim i ri, pasi grupet e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se Teherani mund të ashpërsojë goditjen ndaj kundërshtarëve që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit më 28 shkurt. Lufta i shuajti protestat që po zinin, por autoritetet kanë vijuar arrestimet e personave të lidhur me protestat e janarit dhe kanë shtuar ekzekutimet e protestuesve të burgosur. Në fund të korrikut, protesta të vogla u zhvilluan në Isfahan, përpara varjes publike të dy protestuesve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.