Protestuesit refuzuan dialogun për Zvërnecin, Rama: S’bisedoj me ata që janë të kurdisur. Të mirëseardhur ata që janë vërtetë të shqetësuar për mjedisin
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestat kundër projektit të investimit në Zvërnec, duke deklaruar se është i gatshëm të dialogojë me qytetarët që kanë shqetësime reale për mjedisin, por jo me ata që, sipas tij, janë të motivuar nga interesa të tjera.
Në një komunikim për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Rama iu përgjigj edhe kërkesave të protestuesve për dorëheqjen e tij, teksa tha se janë pjesë e një “filmi të vjetër”, ndërsa theksoi se nuk ka kërkuar të zhvillojë bisedime me ata që ai i konsideron të “kurdisur”.
Kreu i qeverisë theksoi se respekton qytetarët që kanë shqetësime të sinqerta për ndikimin e mundshëm të projektit në mjedis, duke i ftuar ata në dialog.
“T’i referohen arkivit të gjatë të këtij filmi të vjetër se tanimë këtu nuk ka asgjë të re. Unë nuk kam kërkuar të bisedoj me asnjë nga ata që për mua janë të kurdisur, por me ata që kanë votuar për mua, disa prej tyre edhe më kanë shkruar nga protesta e parë dhe me ata jam gati të bisedoj në çdo kohë sepse ata nuk kanë dalë në protestë për të zhvilluar një episod të ri të një filmi shumë të vjetër. Ai film duhet t’i tregojë të gjithëve që asgjë nuk më lëviz mua nga ‘instikami’ ku më kanë vendosur shqiptarët. Kush flet në emër të shqiptarëve nuk duhet të harrojë që unë përfaqësoj vullnetin e të paktën 800 mijë shqiptarëve. Kush flet pastaj në emër të ndjenjave të vërteta se çfarë mund të ndodhë me mjedisin, është i mirëseardhur të bisedojë me mua dhe me ne. Ata që vijën me librin e shtëpisë sime poshtë dritares time, si ata çakejtë e Agimit të Artë në Greqi, janë subjekt vetëm për Zotin dhe Zoti i faltë”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.