Protestuesit sulmojnë efektivët, institucionet dhe bizneset në Tiranë! Reagon Policia e Shtetit
Protestuesit kanë thyer xhamat e disa bizneseve në kryeqytet ndërsa kanë sulmuar institucione edhe një bankë të nivelit të dytë në Rrugën e Kavajës.
Gjithashtu protestuesit kanë djegur edhe koshat e mbeturinave, kanë shkatërruar stacione autobusi si dhe i kanë vënë zjarrin disa kioskave.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion ndërsa protestuesit vijojnë të rezistojnë përballë efektivëve të policisë.
Përmes një reagimi, Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarëve që të distancohen nga aktet e dhunës ndërsa theksojnë se dhuna e vazhdueshme cënon sigurinë e qytetarëve.
Reagimi
Gjatë protestës së ditës së sotme, punonjësit e Policisë së Shtetit janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, të cilat rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e qytetarëve.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, të cilët sulmojnë punonjësit e Policisë dhe institucionet, si dhe dëmtojnë pronën publike e private.
U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin zonat ku po ushtrohen akte dhune dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj. Dhuna, sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimi i pronës publike e private janë të papranueshme dhe ndëshkohen me ligj.
Çdo veprim i dhunshëm që rrezikon jetën e punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve do të trajtohet në përputhje me ligjin.
Policia e Shtetit vijon të jetë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.