Pse BE na jep bonus financiar?
Pjesa shtesë që marrim janë 185.6 milionë euro
Nga Fatos Çoçoli
Në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi nga Brukseli më 25 nëntor 2026 një paketë të re fondesh prej 338 milionë eurosh për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, bazuar në ecurinë e reformave të tyre.
Këto fonde nga Plani i Rritjes po rishpërndahen drejt Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, pasi Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova nuk i përmbushën reformat e kërkuara brenda afateve të përcaktuara. Mekanizmi i BE-së parasheh që fondet e pashfrytëzuara brenda afateve nga vendet që ngecin, të mos mbeten stok, por të rialokohen tek fqinjët rajonalë që tregojnë ritëm më të shpejtë zbatimi.
Për fat të keq, Kosova humbi në mënyrë të pakthyeshme rreth 43.8 milionë euro nga kësti i parë i rregullt (duke rrezikuar edhe 131.5 milionë euro të tjera), pasi nga 13 hapat reformues afatgjatë, deri në qershor 2026 përmbushi vetëm shtatë. Përveç kësaj, për Kosovën dhe Serbinë vlen kushti shtesë i angazhimit konstruktiv në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Edhe Serbia ka humbur shumë fonde, pasi rregjistroi ngecje të theksuar në reformat e sundimit të ligjit dhe në dialogun me Kosovën, ndërsa ndodhet në një fazë tranzicioni institucional, pas zgjedhjeve të përgjithshme të tetorit 2026. Ndërsa Bosnje-Hercegovina ka humbur fonde edhe ajo, duke pasur vonesa të vazhdueshme institucionale dhe bllokada të brendshme politike.
Çfarë ka marrë Shqipëria deri tani?
Deri tani, vendi ynë ka siguruar rreth 212 milionë euro në fonde të miratuara dhe të pritshme, në kuadër të kësteve të Planit të Rritjes, falë ritmit të shpejtë të reformave. Sipas Komisioneres(ministres) së Zgjerimit të BE-së Marta Kos, nga pjesa shtesë e rishpërndarjes, Shqipëria merr 15 përqind të fondeve të parashikuara për të në Planin e Rritjes prej 6 miliardë euro për të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor 2024-2027.
Pjesa “bonus” që na takon nga Plani i Rritjes janë 185.6 milionë euro. Këto fonde përfitojmë nga “torta” financiare që BE përgatiti për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, pasi Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova nuk i bënë si duhet detyrat e tyre të shtëpisë.
Tabela 1. Përfitimet nga “bonusi” i BE-së
Shqipëria 185.6 milionë euro (me 80% të reformave të përmbushura)
Mali i Zi 81.5 milionë euro (me 94% të reformave të përmbushura)
Maqedonia e Veriut 70.9 milionë euro (me 56% të reformave të përmbushura)
Brukseli e ka bërë të qartë se këto fonde nuk janë dhurata pa kushte, por të lidhura drejtpërdrejt me zbatimin e planeve të reformave social-ekonomike dhe sundimit të ligjit deri në afatin e përcaktuar të vitit 2027.
186.5 milionë euro: sa e rëndësishme është kjo shumë për ekonominë tonë?
186.5 milionë euro janë një injektim i konsiderueshëm financiar për investimet dhe reformat tona publike. Ato përbëjnë një burim shtesë financimi që do ta ulë presionin mbi buxhetin e shtetit, por edhe një mundësi për të përshpejtuar projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në produktivitetin e ekonomisë sonë dhe një mbështetje për përmirësimin e klimës së biznesit dhe për afrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Tabela 2. Çfarë fitojmë nga fondet shtesë?
1. Rritja e investimeve publike dhe produktivitetit
2. Përmirësimi i klimës së biznesit
3. Mbështetja e integrimit të bizneseve shqiptare në tregun europian
4. Përmirësimi i administratës publike
5. Krijimi i mundësive të reja për punësim
6. Një mundësi për të lehtësuar presionin mbi buxhetin e Shtetit.
Këto para mund të krijojnë një efekt shumë më të madh se vlera e tyre fillestare, pasi investimet në infrastrukturë, administratë, energji, digjitalizim dhe zhvillim të sektorit privat rrisin kapacitetin prodhues të ekonomisë dhe krijojnë mundësi të reja punësimi.
Por rëndësia e tyre nuk qëndron vetëm tek shuma. Ajo që ka më shumë vlerë është fakti se këto para vijnë të lidhura me reforma, me objektiva konkrete dhe me një mekanizëm që shpërblen progresin.
Një bonus që nuk duhet ngatërruar me një dhuratë
Është e rëndësishme të kuptojmë se këto 186.5 milionë euro nuk janë një dhuratë pa kushte nga Bashkimi Europian. Ato janë pjesë e një mekanizmi financiar që synon të përshpejtojë integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët europian dhe të nxisë zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE.
Pra, Shqipëria nuk po përfiton thjesht sepse është një vend kandidat për anëtarësim. Ajo po shpërblehet për ritmin e zbatimit të reformave dhe për përmbushjen e kushteve të përcaktuara. Ky është një ndryshim thelbësor në mënyrën se si duhet ta kuptojmë mbështetjen europiane.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.