Pse Gjermania po strehon refugjatët?
Fluksi i refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut ka përçarë Bashkimin Europian. Disa vende kanë shprehur gadishmërinë për t’i pritur, të tjera tregohen më të ngurta dhe më ngurruese.
“Gjermania është i vetmi vend që po na mirëpret”, deklaroi Alalie, një 37-vjeçare siriane e sapombërritur në një kamp të ngritur nga autoritetet gjermane.
Por përse ekziston kjo ndasi? Përse disa vende mirëpresin refugjatët dhe disa të tjerë bëjnë të pamundurën për t’i mbajtur ata jashtë kufijve të vet? Washington Post ka përgjigjien; demografia. Prestigjiozja amerikane ka ilustruar përmes një harte interaktive mesataren e moshës së popullsisë në vende të ndryshme të BE-së.
Ajo që vihet re është se Gjermania është një ndër vendet me mesataren më të lartë të moshës së popullsisë. Problemi vazhdon të trajtohet prej autoriteteve prej vitesh me stimuj financiarë për çiftet për të patur sa më shumë fëmijë. Por kjo nuk ka mjaftuar për të zbutur këtë problem demografik, ndaj së fundmi Gjermania duket se zgjidhja janë refugjatët.
“Ajo që po ndodh këto kohë do të ndryshojë rrënjësisht Gjermaninë në vitet në vazhdim dhe në duam që këto ndryshime të jenë pozitive”, deklaronte pak ditë më parë Angela Merkel teksa shtrinte dorën për strehim për mijëra sirianë.
Pjesa më e madhe e refugjatëve janë mosha të reja dhe fëmijë që mund të integrohen lehtësisht në shoqërinë pritëse.Pra, jo vetëm refugjatët kanë nevojë për Gjermaninë, por edhe Gjermania ka nevojë për ta.
Si ekonomia më e madhe në Europë, Gjermania vuan për punëtorë të rinj dhe të kualifikuar. Shumë kompani të mëdha e kanë të vështirë të gjejnë personelin e duhur për qindra-mijëra vendet e punës që ofrojnë.
“Shumica e refugjatëve janë të rinj, të edukuar dhe të motivuar. Pikërisht këta njerëz po kërkonim”, deklaronte të dielën e shkuar Dieter Zetsche, kreu i prodhuesit të makinave, “Daimler”.
Një sjellje “miqësore” karshi emigrantëve ka edhe Suedia, por për të tjera arsye. Qeveria e saj prej vitesh ka mirëpritur emigrantët dhe sot vendi ka numrin më të madh të refugjatëve të strehuar për frymë.
Po vendet e tjera? Britania e Madhe ruan një balancë të popullsisë edhe përmes politikave të kontrolluara të emigracionit dhe tregohet e ashpër me azilantët, ndërkohë që vendet në jug, si Italia dhe Spanja nuk kanë probleme të plakjes dhe për këtë kontribut kanë dhënë edhe emigrantët, mes të cilëve edhe shqiptarë që kanë kaluar Adriatikun në fillim të ’90-s. Edhe Franca nuk e ka këtë problematikë, ndërkohë që Portugalia, përveç popullsisë në plakje, vuan edhe nga një krizë e thellë ekonomike dhe asnjëherë nuk ka qenë magnet për emigrantët.