“Publikimi i videove intime i qëllimshëm”, avokatja: Sa vite rrezikojnë përgjegjësit?
Në panelin e të ftuarve në emisionin “Rudina”, këtë të enjte, më 1 tetor, u trajtua rasti i videove intime që kanë qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, një çështje që ka ngjallur spekulime të shumta lidhur me arsyet që kanë çuar në publikimin e tyre.
Sipas avokates Margarita Kola, përmbajtja e videove nuk përbën asnjë interes publik dhe, për këtë arsye, ajo vlerëson se motivet që kanë çuar në publikimin e tyre kanë qenë tërësisht dashakeqëse dhe të qëllimta.
“Ajo që më shqetëson mua është kush ka interes për jetën e të tjerëve? Pranohet të thuhen lajme që trondisin opinionin, po atëherë kur opinioni ka interes për lajme të tilla, sepse gjithë shoqëria është e interesuar dhe afektohet. Ka një mision dashakeqës. Pse ka dalë tani? Dikush duhet të mbajë përgjegjësi, sepse janë bërë me qëllim.”
Për sa i përket penaliteteve që rrezikojnë përgjegjësit në këtë rast, avokatja pohoi se këto vepra penale janë relativisht më të reja dhe janë të huazuara nga legjislacionet e huaja.
“Marzhet e dënimit për vepra të tilla, për hir të së vërtetës, nuk janë të larta siç i konsiderojmë ne. Shkojnë nga 2-3 vjet, por varet nëse personi që ka kryer veprën penale ka kryer edhe të tjera, atëherë do t’i mblidhen dënimet nëse veprat penale nuk konkurrojnë.”
Në momentin që nuk ka një denoncim, avokatja sqaroi se vetëm për shpërndarësin e videove intime mund të vazhdojë hetimi, ndërsa për veprat e tjera penale, ato do të vazhdojnë të hetohen vetëm nëse do të ketë iniciativë nga palët të cilat janë të përfshira në video.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.