Publikohet foto e Shpëtim Aliut të arrestuar në Rusi, i njohur si ‘Escobari’ shqiptar
Zbulohet portreti i Shpëtim Aliut i cili u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në Rusi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Mbrëmjen e së mërkurës është arrestuar në Rusi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë Shpëtim alias Salvatore Aliu, i njohur si një prej personave kyç të trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Aliu ishte shpallur në kërkim nga SPAK në qershor 2026, kur Gjykata e Posaçme caktoi ndaj tij masën “arrest në burg” për trafik narkotikësh, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Hetimet e SPAK-ut tregojnë se Salvatore Aliu dyshohet se ka pastruar të paktën 30 milionë euro në Shqipëri, të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Në menaxhimin e kësaj shume, rol kryesor ka patur vëllai i tij, Isa Aliu, i cili kontrollonte katër kompani të përdorura për investime në pasuri të paluajtshme, ndërtime, vila dhe struktura hoteliere në zona bregdetare e turistike.
Përgjimet e zbërthyera nga platforma e komunikimit SKY, ku Aliu përdorte nofka të tilla si “Dala”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”, zbuluan udhëzime të drejtpërdrejta për fshehjen e miliona eurove kesh.
Ndër komunikimet e vitit 2020, hetuesit dokumentuan udhëzime ku sugjerohej futja e parave në fuçi 50-litërshe dhe groposja e tyre deri në momentin e investimit në biznes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.