Ekonomia

Pushimet jashtë, destinacionet kryesore dhe sa do t’ju kushtojnë këtë vit

Destinacione tradicionale, pa shumë kokëçarje, që ofrojnë komoditetin e mjaftueshëm. Kjo është ajo çka do t’i karakterizojë pushimet e shqiptarëve jashtë shtëpisë këtë sezon.
Agjencitë turistike janë optimiste për ecurinë e prenotimeve, pavarësisht fushatës zgjedhore e situatës ‘post’ saj.

Caktimi i zgjedhjeve në datë 25 qershor ishte një sinjal pozitiv edhe për agjencitë turistike. Më pak ndikim dhe më shumë kohë në dispozicion për t’u shfrytëzuar. Lajm i mirë është edhe se ritmi i prenotimeve do të jetë më i lartë me fillimin e muajit korrik. Kjo është edhe koha kur administrata, si “blerësja” më e madhe e pushimeve, do të jetë disi më e lirë për të ndërmarrë udhëtime.

Më të preferuarat mbeten ato pushime që mund t’i quajmë “me duar në xhepa”, pra ku gjithçka është e përfshirë.
Janë agjencitë sot që mendojnë për çdo gjë, mjafton që ju të përcaktoni buxhetin dhe të keni ide të qarta.
Tendencat duket se do të mbeten pak a shumë të njëjta, ku kryefjala do të jetë Turqia dhe Greqia. Jashtë vëmendjes nuk do të jenë edhe destinacionet “ekzotike” që preferohen më shumë nga çiftet e reja e më pak edhe kroçerat. Përmendim këtu Spanjën, që vetë drejtuesit e agjencive e veçojnë, duke qenë se është kthyer në një trend të vërtetë në mesin e destinacioneve europiane.

Në listën e të preferuarave janë edhe Budapesti dhe Amsterdami, për shkak të nisjes së fluturimeve nga dy operatorët me kosto të ulët, Wizz Air dhe Transavia Airlines. Ata që janë treguar të shkathët dhe kanë prenotuar që në fillim të vitit kanë mundësi që të shijojë fluturime me çmime më të lira nga sa do të përfitonin aktualisht.
Drejtuesit e agjencive turistike thonë se këto dy destinacione janë përfshirë në axhendën e udhëtarëve shqiptarë, të cilët sërish nuk do të heqin dorë nga fluturimet nga aeroportet simotra të “Nënë Terezës”, siç është ai i Prishtinës apo Shkupit. Në paketat turistike, agjencitë kanë të përfshirë edhe nisjet nga këto aeroporte për destinacione të ndryshme, që nga Tirana do të kushtonin disa herë më shumë.
Ata sërish bëjnë thirrje që të prenotohet herët për të përfituar paketa më të lira. Nëse rezervimi bëhet në pikun e verës, ka vështirësi akomodimi dhe çmimet janë më të larta.

Të rinjtë zgjedhin të organizohen vetë me paketa individuale. Vendet më të preferuara për sezonin veror mbeten plazhet e Turqisë, ishujt e Greqisë, e më pak vendet fqinje si Mali i Zi apo Kroacia.
Çmimet e paketave turistike nuk kanë pësuar ndonjë luhatje të fortë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Turqia këtë vit do të jetë pak më e shtrenjtë se një vit më parë, duke qenë se rusët i janë rikthyer destinacionit të preferuar.

 

MaldiveNë listën e dëshirave…

Edhe pse është herët për të bërë parashikime sesi do të shkojë ky sezon sa u përket ofertave jashtë vendit, statistikat e katër muajve të parë të vitit tregojnë tendencë pozitive. Të dhënat e INSTAT treguan se numri i shtetasve shqiptarë, të cilët dolën nga territori i vendit tonë në periudhën janar – prill 2017, ishte rreth 6% më i lartë krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm për muajin prill, ky numër arriti në 429,126, ose 17.3% më shumë krahasuar me muajin prill 2016.

Për drejtuesit e një prej agjencive kryesore në vend, ATHS, pavarësisht situatës së ndërlikuar politike që kaloi vendi nuk pati anulime të prenotimeve. Ecuria për sezonin e verës pritet të jetë pozitive, thonë ata, dhe administrata do të jetë konsumatorja kryesore, sikundër edhe vitet e tjera.
Një shtysë pozitive për udhëtime jashtë është edhe nisja e fluturimeve nga dy shoqëritë me kosto të ulët të fluturimeve ajrore, që do t’i japin më shumë frymëmarrje këtij tregu.
Destinacion tjetër, disi më ekzotik, është Palma de Majorka. Vizitohet nga më shumë se 10 milionë persona në vit. Plazhet e bardha, klima e ngrohtë mesdhetare dhe gatimet tipike spanjolle e bëjnë këtë vend shumë të pëlqyer edhe nga shqiptarët.

1,000 ishujt koralorë që përbëjnë Republikën e Maldives mund të jenë zgjedhja ideale për personat që pëlqejnë zhytjen dhe sportet e tjera ujore. Për nisjet deri në fund të muajit maj, për 7 ditë, ofertat nisin nga rreth 360 euro. Por do t’ju duhet të udhëtoni me autobus.
Vera zbeh disi interesin për turet kulturore, pasi siç shprehen edhe drejtuesit e agjencive turistike ato tërheqin më shumë në pranverë.
Por, edhe në këtë rast, paketat nuk mungojnë.

Parisi mund të vizohet duke filluar nga 399 euro, Costa Brava në Spanjë (8 ditë, mëngjes dhe darkë) duke filluar po nga 399 euro, por me nisje nga Shkupi; Stambolli mund të vizitohet duke filluar nga 219 euro për person për katër ditë; Amsterdami me 4 ditë qëndrim mund të vizitohet për 344 euro/personi me nisje direkt nga Tirana. Por, mund të zgjidhni të shkoni edhe në Moskë, ku 6 ditë do t’ju kushtojnë duke filluar nga 699 euro për person me nisje nga Podgorica e Malit të Zi. Nga agjencitë turistike, Budapesti ofrohet duke filluar nga 299 euro për 4 ditë, por me udhëtim me autobus.
Ndryshe nga dy vite me parë, Sharm el Sheikh nuk do të jetë ndër preferencat e shqiptarëve. Shkak është situata e vështirë që po kalon Egjipti. Janë kryesisht oferta të tipit “ultra all inclusive” me 7 net qëndrime.
ParisKostot

-Parisi mund të vizohet duke filluar nga 399 euro,

-Costa Brava në Spanjë (8 ditë, mëngjes dhe darkë) duke filluar po nga 399 euro, por me nisje nga Shkupi;

-Stambolli mund të vizitohet duke filluar nga 219 euro për person për katër ditë;

-Amsterdami me 4 ditë qëndrim mund të vizitohet për 344 euro/personi me nisje direkt nga Tirana.

-Mund të zgjidhni të shkoni edhe në Moskë, ku 6 ditë do t’ju kushtojnë duke filluar nga 699 euro për person me nisje nga Podgorica e Malit të Zi.

-Nga agjencitë turistike, Budapesti ofrohet duke filluar nga 299 euro për 4 ditë, por me udhëtim me autobus.

 

Bodrum TurqiTurqia, jo më aq e lirë

Turqia pa dyshim mbetet zgjedhja e parë, si një destinacion i konsoliduar. “Por, nuk do të jetë Turqia e një viti më parë, thonë drejtuesit e ATHS-së kur çmimet e paketave turistike u ulën deri në 30%. Këtë sezon, ato do të jenë nga 5-10% më të larta, pasi rusët u janë rikthyer plazheve turke dhe si rrjedhim, kërkesa e lartë nuk favorizon çmimet e reduktuara.

Nivelin e lartë të frekuentimit të plazheve turke nga shqiptarët e konfirmuan edhe të dhënat e vitit 2016. Të dhënat nga Tirana International Airport për udhëtimet me charter treguan se drejt Antalias fluturuan mbi 41,000 persona, ose rreth 18% më shumë se viti paraardhës. Ulja e çmimeve të paketave turistike tërhoqi shqiptarët që të zgjidhnin të pushonin në qytetet bregdetare të Turqisë. Agjencitë thanë se kërkesa për të prenotuar në resortet e tipit “all dhe ultra inclusive” shënoi kulmin në periudhën pas datës 14 korrik e deri në fund të muajit gusht 2016. Antalia është destinacioni kryesor, duke u ndjekur nga Kemeri, Bodrumi e Alania. Koha e qëndrimit llogaritet mesatarisht nga 7 në 10 net.

Nuk ka agjenci në vend që të mos ofrojë paketa turistike që kanë si destinacion Turqinë. Statistikat zyrtare tregojnë se turistët në Turqi shpenzojnë rreth 20% të buxhetit për ushqim, duke e konsideruar si një nga elementët kryesore në përzgjedhjen e këtij vendi si destinacion.

Edhe drejtuesit e agjencisë turistike Union Travel thonë se Turqia do të vazhdojë të mbetet ndër destinacionet e preferuara të shqiptarëve për këtë verë, duke u ndjekur nga Greqia, por edhe Spanja. Agjentët kanë përgatitur paketa që u përshtaten më së miri kërkesave të klientëve shqiptarë, të cilët nuk duan të heqin dorë nga komoditeti dhe luksi që ofrojnë resortet turke, pavarësisht frikës nga sulmet terroriste. Qershori është padyshim muaji me paketat më të favorshme. Për resorte me akomodim deri në 5 yje, çmimet nisin nga 499 euro. Drejtuesit e agjencisë turistike Savatours, pranë hartuar paketa për destinacione si Antalia, Alania, Beleku, Kemeri, Side.
Kështu për nisje nga data 7 qershor do të mund të merrni paketa pushimesh duke filluar nga 459 euro për person deri në 599 euro për person. Korriku dhe gushti, sipas drejtuesve të agjencive turistike, do të ketë çmime disi më të shtrenjta, duke qenë se përbëjnë edhe kohën ‘pik’ të sezonit.
Ndërsa europelowcost.com ofron paketa vërtet tërheqëse për Turqinë, madje për muajin gusht, me 7-14 net-qëndrime me çmime duke filluar nga 750 euro e deri në 1,444 euro me trajtim all inclusive.

Antalya TurqiTurqia

-Qershori është padyshim muaji me paketat më të favorshme. Për resorte me akomodim deri në 5 yje, çmimet nisin nga 499 euro.
-Për nisje nga data 7 qershor do të mund të merrni paketa pushimesh duke filluar nga 459 euro për person deri në 599 euro për person.
-Korriku dhe gushti, sipas drejtuesve të agjencive turistike, do të ketë çmime disi më të shtrenjta, duke qenë se përbëjnë edhe kohën ‘pik’ të sezonit, mesatarisht 700-900 euro/person, në varësi nga niveli i hotelit.

TurizemGreqia, “të dashuruar” pas fqinjëve

Fqinji jugor prej kohësh i ka ndezur motorët e turizmit. “My sea, my sky, my culture, oh Greece!” Ky është slogani që do të joshë turistët. E duket se me gjermanët ka nisur të funksionojë.

Parashikohet që rreth 3 milionë turistë gjermanë të pushojnë këtë vit në Greqi, ose rreth 1 milion më shumë se vitin e kaluar. Por, nuk do të jetë kjo forma e vetme me të cilën do të tërheqë Greqia turistët dhe shtetasit e huaj për të qëndruar në brigjet e saj. Së fundmi, fqinji ynë jugor ka prezantuar programin

“Greek Golden Visa”, sipas të cilit çdo person që do të investojë të paktën 250,000 euro në sektorin e pasurive të paluajtshme apo edhe në tregjet financiare, do të mund të bëhet rezident i përhershëm i shtetit grek. Investitorë nga Turqia, Kina, Egjipti, Rusia, por edhe nga Azia dhe Afrika kanë nisur të shfaqin interes. Destinacionet ku ata kanë hedhur sytë janë: Mikonos, Santorini, Spetses, Antiparos, Kreta.
Edhe shqiptarët nuk do të mungojnë si pushues në brigjet greke. Drejtuesit e agjencisë Union Travel thonë se destinacionet më të pëlqyera në Greqi janë: Korfuzi, Kalkidhikia e Parga. Afërsia dhe mundësia e arritjes së këtij destinacioni edhe me mjete private e bëjnë të frekuentuar dhe të pëlqyer nga një pjesë e mirë e shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë. Ofertat për këtë destinacion janë për hotelet me katër e pesë yje, për 10 apo 6 ditë qëndrim.

Kështu Union Travel ofron pushime në Korfuz, duke filluar nga 299 euro për person në hotele me 4 yje; në Kalkidhiki, duke filluar nga 218 euro për person.
Resortet greke, veçanërisht ato të Kretës dhe Korfuzit, janë renditur si ndër më të lirat në Europë, gjatë viteve të fundit.
Ekspertët vlerësojnë se në kushtet ku ndodhet turizmi, grekët duhet të mendojnë më pak për çmimet dhe më shumë për cilësinë, si një mënyrë për të rritur konkurrencën mes destinacioneve të tjera.

Rajoni, më shumë në fundjavë

Operatorët turistikë të Ballkanit kanë zgjedhur që të ofrojnë paketa që përfshijnë disa vende. Aktualisht, operatorët turistikë ofrojnë paketa në Shqipëri, Maqedoni, Greqi me çmime që shkojnë në rreth 700 euro, Shqipëri – Ohër 675 euro, kur turi klasik shqiptar tetëditor e ka mesataren 677 euro. Paketa rajonale njëjavore më e shtrenjtë është ajo Korfuz-Shqipëri, që varion nga 650 euro në 1250 euro.

Nuk do të thoshim gjë të re nëse do të pohonim se Ohri pret shumë më tepër turistë se Pogradeci. Çmimet janë të parat që vendosin, por edhe kushtet e tjera që plotëson ky rajon turistik i Maqedonisë. Nëse akomodohesh në hotel me katër yje, me të gjitha të përfshira, për tetë ditë e shtatë net, paguan në këtë sezon rreth 560 euro, por nëse negocion mund ta gjesh shumë më ulët këtë paketë. Maqedonasit ofrojnë ture klasike 8-ditore 500 euro me karakter kulturor ose 11-ditor nëpër Maqedoni me 780 euro. Por, Maqedonia ofron pafund ture 3 dhe 5-ditore të tipit “aventurë” apo me udhëtime malore me biçikletë ose njëditore në Shkup dhe Mavrovë. Në Malin e Zi, paketat ofrojnë çmime edhe më të lira.

Në Mal të Zi, mesatarja ditore shkon në 30 euro për person dhe më interesantja është një paketë shtatëditore që përfshin udhëtime në disa qytete, me vetëm 470 euro. Fqinjët tanë janë më dorëlëshuar edhe me ushqimin, duke ofruar në paketa mëngjesin dhe drekën ose mëngjesin dhe darkën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button