Putin nënshkruan traktatet për aneksimin e 15% të territorit të Ukrainës
Presidenti rus Vladimir Putin dhe krerët e katër rajoneve të Ukrainës nënshkruan sot në Kremlin traktatet që shënojnë fillimin e procesit për aneksimin nga Rusia të disa pjesëve të Ukrainës, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Veprimi përfaqëson një përshkallëzim të fortë të konfliktit në Ukrainë, një luftë që vazhdon tashmë prej shtatë muajsh.
Nënshkrimi ndodh tre ditë pas përfundimit të referendumeve të orkestruara nga Kremlini për bashkimin me Rusinë, të cilat u hodhën poshtë nga Kievi dhe Perëndimi duke u cilësuar si grabitje e hapur territori, nën kërcënimin e armëve, e bazuar në gënjeshtra.
Rajonet separatiste të Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore janë mbështetur nga Moska që kur ato u vetëshpallën si të pavarura në vitin 2014, disa javë pas aneksimit të gadishullit të Krimesë, një territor i Ukrainës. Rajoni jugor i Khersonit dhe një pjesë e Zaporizhias fqinje u pushtuan nga Rusia menjëherë pasi Presidenti Vladimir Putin dërgoi trupa në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.
Të dyja dhomat e parlamentit rus të kontrolluara nga Kremlini do të mblidhen javën e ardhshme për miratimin e traktateve, që parashikojnë bashkimin e ketyre rajoneve me Rusisë. Dokumentet do t’i dërgohen për firmë përfundimtare presidentit Putin.
Pas këtij hapi të Kremlinit, Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky tha se vendi i tij po dorëzon kërkesën për “anëtarësim të përshpejtuar” në aleancën ushtarake të NATO-s.
Po sot Kievi pritet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe të të Mbrojtjes.
Ndërkohë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të paraqesin sot pasdite për miratim një projekt-rezolutë, e cila dënon ato që janë quajtur “referendume të rreme”. Nëpërmjet rezolutës u bëhet thirrjeve anëtarëve të Këshillit të mos njohin asnjë vendim që ndryshon statusin e Ukrainës si dhe të detyrojnë Rusinë që të tërheqë trupat nga Ukraina.
Gjasat janë që Moska të përdorë veton për të bllokuar rezolutën, një veprim që do të bënte të mundur kalimin e kësaj çështjeje në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Një strategji e ngjashme pas aneksimit të Krimesë nga Moska në vitin 2014, arriti të sigurojë mbështetjen e 100 vendeve kundër agresionit rus.
Më herë gjatë ditës së sotme ndërsa Moska përgatitej për aneksimin e katër territoreve ukrainase, forcat ruse goditën me artileri disa autokolona humanitare pranë qyteteve të Zaporizhias dhe Mikolaivit.
Sipas zyrtarëve si pasojë u vranë rreth 26 persona dhe u plagosën rreth 40 të tjerë. Në aumjetet e goditura udhëtonin njerëz që ishin nisur drejt zonave të pushtuara, për të shpëtuar familjarë të tyre.