Qendra e Studentëve hap konkursin për konvikte dhe mensë
Qendra e Studentëve në Prishtinë ka shpallur konkursin për pranimin e studentëve në konvikte dhe për shfrytëzimin e mensës së studentëve për vitin akademik 2026/2027.
Sipas njoftimit, aplikimi do të bëhet online, ndërsa konkursi do të jetë i hapur deri më 18 shtator 2026, në orën 16:00.
“Për pranimin e studentëve në konvikte dhe ushqim në mensën e studentëve për vitin Akademik 2026/2027”, thuhet në njoftimin e Qendrës së Studentëve.
Të drejtë aplikimi kanë studentët e rregullt në studime themelore, vendbanimi i të cilëve është 25 kilometra ose më larg nga Prishtina.
Qendra e Studentëve ka përcaktuar edhe kritere të veçanta për pranimin e studentëve.
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë, Fakultetit Teknik dhe Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, të cilët kanë notë mesatare 9.00 dhe vendbanimin 25 kilometra ose më larg nga Prishtina, pranohen në konvikte pavarësisht numrit total të pikëve.
Ndërkaq, studentët e fakulteteve të tjera me notë mesatare 9.5 dhe vendbanim 25 kilometra ose më larg nga Prishtina, gjithashtu pranohen pavarësisht numrit të pikëve të fituara.
Për studentët e tjerë, pikët llogariten në bazë të kritereve të përcaktuara. Nota mesatare vlerësohet me 5 deri në 15 pikë, ndërsa largësia e vendbanimit nga Prishtina me 1 deri në 10 pikë, shkruan Telegrafi.
Studentët që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Kosovës për largësinë përfitojnë 15 pikë.
Konkursi parasheh edhe pikë shtesë për studentët që i përkasin kategorive të veçanta.
Sipas konkursit:
Qendra e Studentëve ka bërë të ditur se studentët që përfitojnë pikë shtesë duhet të ngarkojnë në sistemin online dokumentacionin përkatës.
Për disa kategori, sistemi do t’i llogarisë automatikisht pikët, përfshirë ato që lidhen me notën mesatare, largësinë e vendbanimit, statusin e prindit invalid të luftës dhe asistencën sociale.
“Pikët e fituara nga nota mesatare, nga largësia, student i prindit invalid të luftës, studentëve me asistencë sociale pikët i llogarit vet sistemi online. Andaj nuk është e nevojshme që këto dokumente të ngarkohen gjatë aplikimit”, sqaron Qendra e Studentëve.
Për studentët nga komunitetet jo shumicë, sipas konkursit, do të vlejë lista nga sistemi i Universitetit të Prishtinës.
Rezultatet e konkursit do të publikohen më 25 shtator 2026, në tabelat e konvikteve dhe në faqet zyrtare të Qendrës së Studentëve.
Studentët që nuk pajtohen me rezultatet do të kenë mundësi të ushtrojnë ankesë online më 28 dhe 29 shtator, ndërsa rezultatet e ankesave do të publikohen më 1 tetor 2026.
Qendra e Studentëve ka paralajmëruar gjithashtu se studentët që kanë shkelur rregulloret në fuqi në Qendrën e Studentëve nuk do të pranohen në konvikte.
“Konvikte do të pranohen studentët me numrin më të madh të pikëve të fituara”, thuhet në konkurs.
Aplikimi bëhet përmes sistemit online të Qendrës së Studentëve, ndërsa udhëzuesi për aplikim është publikuar në faqen zyrtare dhe në profilin zyrtar të institucionit në Facebook. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.