Ekonomia

Qeveria shpall gjendje emergjence: KESH, OST, dhe OSHEE të pezullojnë planet e investimeve

Qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, me efekte që shtrihen deri më 15 prill 2022.

Sipas vendimit të miratuar në Këshillin e Ministrave thuhet se Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.

Më herët gjatë një deklarate për mediat kryeministri Rama deklaroi se kriza energjetike do të ketë kulmin e saj në mesin e vitit ë ardhshëm, ndërsa shtoi se situata e përgjithshme e rritjes së çmimit të energjisë i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë me instrumente financiare, qoftë me instrumente të natyrës administrative.

Ditën e shtunë pritet që qeveria të publikoi edhe planin për mbrojtjen e konsumatorit familjar dhe biznesit të vogël.

Vendimi i plotë:

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 8 Tetor 2021:

V E N D I M

PËR

SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË FURNIZIMIN ME ENERGJI ELEKTRIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 90, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.
  2. Ngritjen e grupit ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe çdo përfaqësues nga institucione të tjera, që vlerësohen të nevojshëm nga Zëvendëskryeministri.
  3. Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Këto shoqëri të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.
  4. Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë, me qëllim mundësimin e importit të energjisë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë të energjisë elektrike.
  5. Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 15 prill 2022.
  6. Ngarkohen Zëvendëskryeministri, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button