Qeveria si Shoqata e Poetëve të Vdekur!
Në 7 mars ministrja e Arsimit na tregoi një film. Dhe meqë ky nuk ishte një film si gjithë të tjerët, ajo vendosi që mendimin e vet për filmin ta botonte në të gjitha gazetat e vendit. Njëkohesisht. Në formën e një pershendetje. Që ishte një rrëfim.
Ishte rrëfimi i një filmi amerikan të quajtur Dead Poet’s Society. Shoqata e Poetëve të Vdekur.
Por unë nuk mendoj se ministria bëri kaq pak. Ajo nuk ngatërroi datën.
Ajo nuk theu protokollin, por tregoi se çfarë është realisht Shoqata e Poetëve të Vdekur Shqiptarë që në kushte të tjera do ishte një metaforë e bukur për shumë pjesë jofunksionale të shoqerisë sonë. Por nisur nga padituria, panevojshmëria, padobishmëria, irrelevanca, injoranca, mungesa e ideve dhe nevoja për snobizem provincial të papërshtatshëm, përshëndetja e ministres së Arsimit është e mjaftueshme për ta klasifikuar qeverinë e Shqipërisë si Dead Poet’s Society.
Si Shoqata e Poetëve të Vdekur.
Nuk dua të jem i vrazhdë dhe po e shpjegoj duke e ditur se shumë njerëz janë të prirur të më paragjykojnë dhe të mendojnë se unë dështoj me sukses t’i pershkruaj dështimet e suksesshme të qeverisë shqiptare.
Për këtë arsye do citoj dhe shumë pak do komentoj.
Ministrja e Arsimit e nis përshëndetjen e 7 marsit duke përshkruar se si i dridhet dora aktorit Robin Williams, personazhit kryesor të Shoqatës së Poetëve të Vdekur dhe pastaj vazhdon duke treguar se sa ngadalë ecën mesuesi Robin Willimas, si “i hedh një sy për herë të fundit klasës dhe për të mos u tradhëtuar nga emocionet le auditorin për të mos u kthyer më kurrë… por nxënësit e tij nuk janë dakort. Ata hipin neper banka dhe duke përplasur kembet mbi to, shpërthejnë fort dhe dhimbshem me vargjet brilante të poezisë së famshme të Walt Whitman: Kapiten, kapiteni im!
Me sa kuptoj, ministrja ka dashur të tregojë se mësuesi Robin Williams ka ikur nga klasa pa pëlqimin e nxënësve të cilët u rebeluan nga përjashtimi i tij i padrejtë nga shkolla dhe vendosën ta mbronin. Do ishte inkurajuese të besoja sikur ministrja përmes këtij transporti virtual pamjesh nga filmi Shoqata e Poetëve të Vdekur, të na zbulonte modelin e vet ideal për nxënësit e Shqipërisë. Pra të na thoshte se megjithese ajo s’mundet, kështu do donte të ishin nxënësit e Shqipërisë. Rebelë, antikonformistë, kundërshtues dhe protagonistë. Mbrojtës të ideve dhe kundërshtarë të dogmës. Akoma më e bukur do ishte sikur ky model nxënësish, që nuk i kemi, të nxitej nga shteti dhe nga vetë ministrja, e cila nën frymëzimin e Shoqatës së Poetëve të Vdekur, të shkonte në çdo klasë dhe t’u thoshte nxënësve: dëgjoni se çka ndodhur në një film. E kuptuat? Sa herë që unë të heq nga puna ndonjë mësues, nëse ju nuk u pëlqen, silluni si aktorët e Shoqatës së Poetëve të Vdekur. Rebelohuni, “hipni mbi bankat e klasës, përplasni këmbët, shpërtheni fort dhe dhimbshem mbi vargjet brilante të poezisë së famshme të Walt Whitman: Kapiten, Kapiteni im”.
Sa e bukur do ishte. Megjithese nuk kam mundësi dhe as kohë do doja edhe unë të isha nxënës dhe të këndoja Kapiten, kapiteni im, bashkë me ministren e Arsimit. Do ta përdorja këngën edhe për të mbrojtur mësuesit që nuk do t’i doja, vetëm e vetëm për të m’u dukur vetja si pjesë e Shoqatës së Poetëve të Vdekur! Çfarë rinie do të kisha patur sikur këtë përshëndetje të ma bënte ministri i Arsimit i vitit 1985! Nuk e kam patur këtë fat!
Kapiten, kapiteni im!
Por ajo që mund të ndodhte nën fuqinë dhe magjinë e kësaj përshëndetjeje të munguar frymëzuese në vitin 1985, nuk ndodhi në vitin 2015, megjithëse nxënësit e kishin publikisht këtë përshedetje mallëngjyese.
Disa ditë më parë studentët që hynë në një grevë urie, u nxorrën më dhune nga policia menjëherë pasi ministrja i takoi ata.
Sikur ministrja t’u kishte treguar ayre filmin e Shoqatës së Poetëve të Vdekur ata do ishin akoma në grevë dhe duke “përplasur këmbët, do shpërthenin fort dhe dhimbshëm mbi vargjet brilante të poezisë së famshme të Walt Whitman: Kapiten, Kapiteni im”.
Po vazhdoj citimin e përshëndetjes me besimin se po më shoqëroni në këtë film të shfaqur mbi faqe gazetash, në 7 mars.
“Mësuesit që Robim Willimas interpreton… tregojnë një rrugë dhe e ndriçojnë atë edhe pse ajo mund të kalojë nga toka drejt qiellit, për ata që besojnë në të përtejmen, edhe pse ajo mund të kalojë nëpër shkallët e qiellit të muzikës rrok të Led Zepellin për ata që besojnë në shpirtin hyjnor të muzikës, apo për tokësorët që besojnë në rrugët e heshtura, të qeta e pak misterioze të pyllit të vendimeve të vështira”.
Te them të drejten nuk kam lexuar aq shumë sa të mund të kuptoj kuptimin e kësaj fjalie, por kam shkruar aq sa të jem i bindur se kjo fjali nuk ka asnjë kuptim dhe nëse ajo ka një kuptim sigurisht që nuk mund të justifikohet si keqkuptim. Megjithatë duke shtrydhur të gjitha keqkuptimet e këtij teksti të cituar besnikërisht, ajo që kuptoj, është se ministrja e Arsimit ka një kuptim unik, ditirambik, hapësinor dhe hyjnor të misionit të mësuesit i cili duke qenë, sipas saj, një postier që sjell dhe çon mesazhe nga qielli në tokë i përgatit nxënësit për jetën e përtejme duke i kenduar kengën e Led Zepellin, Stairway to Heaven, apo Shkallët e Parajsës, pra pak a shumë, ministrja beson se përmes mësimit mund të përfundosh në parajsë dhe se mësuesit që i ngjajnë Robin Williams mund ta garantojnë më lehtë, se sa ata që nuk i ngjajnë, këtë kalim të shpirtit në botën tjetër!
Por çudija nuk mbaron, përkundrazi vazhdon dhe ja po citoj serish:
“Për një nxënës, vetëm pemët e larta, bari dhe lagështia duan të thonë pyll, ndërsa njeriu i pyllit në shpjegimin e Robin Williams u kujton atyre se pylli nuk mund të kuptohet pa praninë e tigrit”.
Si një njeri që jeton disa muaj në vit pranë një pylli dhe megjithatë nuk e njeh shumë mirë atë, do pyesja: Çfarë do të thotë ministrja e Arsimit? Pse pemët, bari dhe lagështia nuk i mjaftojnë një nxënësi të mendojë se një grumbull pemësh të rrethuara më bar dhe të ushqyera më lagështi nuk përbëjnë pyll? Çfarë di më shumë një mësues se sa një nxenës për një pyll? A e kushtëzon bari dhe lagështia ekzistencën e pyllit? A duhet detyrimisht që një pyll të ketë tigra për t’u quajtur pyll? Po njeriu i pyllit kush është? Dhe në fund të fundit për çfarë pylli flet ministrja e Arsimit? A beson ajo se në pyjet tona ka tigra? Apo mos vallë për të shmangur më elegancë, akustikën negative ka modifikuar fjalën tonë të urtë “nuk ka pyll pa derra” dhe nëse është kështu për cilët derra e ka patur fjalën? Për mësuesit, të cilet me përkedheli i quan tigra që enden në pyjet e arsimit tonë plot lagështi?
Apo ndoshta asgjë nga këto. Ndoshta ministrja mbron Kapitenin nga tigrat duke i thënë të mos mërzitet për hapin tokësor të punëve hyjnore, pasi nuk ka pyll pa tigra!
E di shumë mirë se në një bisedë të lirë, ministrja e Arsimit do ta tregonte me krenari filmike emrin e Kapitenit dhe do fliste për tigrat dhe ngatërresat që ata bëjnë në pyll, do tregonte dallimin mes një tigri dhe një derri dhe natyrisht do pohonte se ajo e di se pemët, bari dhe lagështia janë përbërës të pazëvendësueshëm të një pylli dhe se përseritja e dendur dhe spontane e tyre mbi sipërfaqen e tokës mjafton për ta quajtur çdo grumbull pemësh pyll, se në pyjet tona nuk ka tigra, por derra dhe se nuk ka nevojë që në shkollat tona të flitet për njeriun e pyllit sepse të tillë nuk ka më qysh se bota kaloi nga pyjet në banka që bëhen nga pemët e pyllit për t’i shërbyer njeriut të pyllit të mos jetë më i pyllit.
Unë besoj se ministrja e Arsimit e përballon këtë bisedë. Ajo i di të gjitha këto. Por pyetja është pse i shkruan? Çfarë e nxit dhe çfarë e detyron të shkruajë një tekst me kaq kapërcime, nga arsimi tek filmimi, nga biologjia tek kinematografia, nga toka në qiell, nga errësira në diell, nga ferri tek derri dhe nga zepellini tek kapiteni?
Duke qenë i bindur se kam dështuar të jap të gjitha shpjegimet e kuptueshme të frazave që kam cituar, më duhet t’i jap një përgjigje vetes për gjithë këtë sprovë të panevojshme, të pakuptueshme dhe të mundimshme që lexova në 7 mars.
Ky është një snobizëm provincial. Eshtë pa shije. Pa kuptim, pa nevojë dhe pa dije. Eshtë nevoja për të treguar se dimë diçka që nuk e dimë. Eshtë hipokrizia dhe falsiteti për të cilën ministrja e Arsimit në fakt nuk është përgjegjëse direkte. Ajo reflekton shijet e dikujt tjetër që beson se ka aftësinë për të bindur këdo dhe kurdo se, pyjet e Shqipërisë kanë tigra dhe se të gjitha rreziqet dhe vështirësitë e punës së përditshme duhen metaforizuar me problemet që krijojnë tigrat në pyjet e mbushur më lagështi. Ministrja e Arsimit nuk ka përgjegjësi për sa kohë që nuk shkruan për nxënësit dhe mësuesit. Ajo ka treguar një film megjithëse duket se nuk e ka kuptuar atë, çka nuk është detyrimisht një detyrim për asnjë ministër që nuk zgjidhet për të kuptuar çdo film. Ministrija e Arsmit nuk u ka treguar asnjë film nxënësve dhe mësuesve. Ajo ia ka treguar dikujt tjetër. Ajo ka shkruar për dikë të cilin e quan Kapiten, kapiteni im! Unë jam pjesë e Dead Poet’s Society!
Jam pjesë e Shoqatës së Poetëve të Vdekur!
Nese dikush do ta pyeste se çfarë kupton ajo me Shoqatën e Poetëve të Vdekur me siguri do përgjigjej: Kapiten, kapiteni im!