Qiratë ditore, Golemi udhëheq rritjen e kërkesës dhe të ofertës, më i shtrenjti në mars
Qiratë ditore, Golemi udhëheq rritjen e kërkesës dhe të ofertës, më i shtrenjti në mars

Golemi rezulton të jetë tregu me zgjerimin më të shpejtë në sektorin e apartamenteve turistike në Shqipëri, sipas të dhënave të AirDNA, duke regjistruar rritjen më të lartë të kërkesës dhe një nga normat më të forta të zgjerimit të ofertës në vend në mars.(AirDNA- kompani e analizës së të dhënave për qiratë afatshkurtra, si ato në platformat Airbnb dhe Vrbo).
Ndërsa Vlora mbetet tregu më i madh i akomodimit afatshkurtër me mbi 10 mijë listime aktive në muaj dhe Tirana renditet e dyta me më shumë se 5 mijë, ritmet më të larta të rritjes janë zhvendosur drejt Golemit dhe Durrësit.
Sipas AirDNA, numri i listimeve në Golem u rrit me 34% në 12 muajt deri në mars 2026, duke përfaqësuar zgjerimin më të shpejtë të ofertës ndër tregjet kryesore turistike të vendit.
Numri i apartamenteve që jepen me qira në Golem ka arritur në rreth 1400 në mars 2026, nga 1043 në të njëjtin muaj të një viti më parë.
Në të njëjtën periudhë, netët e qëndrimit në këtë treg u rritën me 45%, norma më e lartë e regjistruar në nivel kombëtar. AirDNA e lidh këtë zhvillim me hyrjen e njësive të reja në treg dhe zgjerimin e inventarit të disponueshëm për turistët.
Shifrat tregojnë se Golemi nuk kryeson vetëm në ritmin e rritjes. Tregu rezulton gjithashtu me çmimin mesatar më të lartë për natë në Shqipëri, rreth 67.4 euro, pak më i lartë se Vlora, me 66.6 euro.
Megjithatë, në Golem, çmimi mesatar i qirasë ka rënë në krahasim me marsin e një vit më parë, kur ishte 72.1 euro. Në të kundërt, është rritur qiraja ditore në Durrës, në 62.8 euro, nga 59.3 euro në mars 2025.
Durrësi regjistroi dhe rritje të ofertës me 28%, ndërsa Shëngjini dhe Shkodra raportuan zgjerim të kërkesës me mbi 30%. Vlora mbetet tregu më i madh për nga inventari, me mbi 10 mijë listime aktive në muaj.
Tirana ruan një pozicion të fortë në treg përmes normës më të lartë të zënies, rreth 59%, ndërsa ka rreth 5.3 mijë njësi të listuara për tu dhënë me qira ditore. Por, kryeqyteti shqiptar është ndër më të lirët dhe mund ta jepni me qira, mesatarisht 42.6 euro në natë (nga 43.2 euro në mars 2025).
Golemi dhe turizmi i organizuar
Rajoni i Golemit përveçse rritjes së shpejtë të apartamenteve ditore me qira është në fakt zona me strukturat hoteliere që kanë ngritur turizmin e organizuar prej më shumë se një dekade në segmentin më të qëndrueshëm në vend.
Kryesisht ky turizëm nis gjatë majit dhe mbyllet në fund të shtatorit ku agjencitë e huaja sjellin grupe të organizuar turistësh që vijnë me paketa all inclusive, half board ose fjetje dhe mëngjes. Ndërkohë gjatë pjesës tjetër të vitit Golemi mbetet i frekuentuar nga turistët individualë, kryesisht Kosova, italianët por edhe vizitorë të tjerë./N.Maho
Burimi: Airdna
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.







Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.