Qytetarët vërshojnë sheshin “Skënderbeu” në ditën e 10-të të protestës për çlirimtarët
As shiu nuk i ndali qytetarët e Prishtinës, të cilët për të dhjetën natë radhazi u mblodhën në sheshin "Skënderbeu" në kundërshtim të vendimit të Speciales që dënoi me 81 vjet në total katër ish-krerët e UÇK-së.
Një ndër protestat më të mëdha të këtij viti u mbajt sonte në kryeqytetin e Kosovës, ku qytetarët në numër të madh u mblodhën për të dhjetën natë radhazi në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Protesta e cila mbahet nën moton “Jo në emrin tim” vazhdon të dëshmojë përkushtimin e qytetarëve për të shfaqur mbështetjen për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot janë mbajtur protesta anembanë Kosovës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa sonte në kryeqytet sheshi u mbush sërish me qytetarë. As koha me shi nuk i ka ndalë qytetarët për të dalë e për të shfaqur revoltën e tyre ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për t’i dënuar me 81 vjet në total katër ish-krerët e UÇK-së.
Protestuesit kanë mbajtur flamuj e parulla në mbështetje të çlirimtarëve, ndërsa atmosfera në shesh ka qenë e qetë por e vendosur. Qytetarët kanë shprehur se vendimi i Hagës është i padrejtë dhe se ata nuk do të ndalen së protestuari derisa të ketë drejtësi për ish-krerët e luftës çlirimtare.
Ngjarjen nga vendi po e përcjell gazetari i Klan Kosovës, Kastriot Tahiri.
Burimi: Klan Kosova



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.