Qyteti francez fut në treg makineritë me tregime të shkurtra
Kur Jess Mateychuk hyri në zyrën e turizmit në qytetin francez Grenoble, ai nuk po kërkonte informacion rreth qytetit. “Më në fund i gjeta!”, bërtet i gëzuar studenti 22-vjeçar nga Kanadaja. Ai po i referohej inovacionit më të fundit kulturor të qytetit që është kthyer në një hit interneti: një cilindër me pamje rakete në ngjyrë të zezë dhe portokalli që nxjerr histori të shkurtra pa pagesë.
Nën një panel qelqi ku është një etiketë që shkruan “shpërndarësi i tregimeve”, ai gjeti tre butona me numra: një, tre dhe pesë. Numrat reflektojnë sa minuta do të duhet për të lexuar tregimin. Jess zgjodhi tre. Butoni u shtyp dhe një faturë si e supermarketit, por me letër më të hollë, doli jashtë.
Letra lajmëroi se bëhej fjalë për tregimin “Chambre avec vue”, nga Balndine Butelle. Ishte një dialog i trilluar mes dy të burgosurve.
Mateychuk printoi tregime të tjera, “për më vonë”, teksa William Haettel, një punonjës i zyrës së turizmit, vështronte. “Gjëra të pagjasa kanë ndodhur që kur i kemi marrë këto”, thotë ai. “Turistët italianë kanë bërë foto me to. Funksionojnë shumë mirë dhe nuk është as piku i sezonit. “Dhjetë minuta më vonë, makineria nuk kishte më letër”.
Aktualisht ka tetë si këto në qytetin prej 160 mijë banorësh në Alpet Franceze. Tetorin e shkuar, kompania e re vendase e botimeve, Short Edition, lançoi prototipat në bashki, në zyrën e turizmit, në librari dhe qendrat sociale. Ata që duan t’i kenë makineritë duhet t’i marrin me qira nga kompania për 500 euro në muaj, por Grenoble i mori makinat me ulje pasi këshilli bashkiak dhe qeveria rajonale ndihmoi në financimin e tyre në zhvillim.
Vendasit që qëndrojnë në radhë janë të mirëpritur të printojnë dhe të lexojnë një nga këto 600 histori të shkurtra që i ofrojnë makineritë. Në muajin e parë, rreth 10 mijë histori u printuan. “Fjala e shkruar nuk ka vdekur”, thotë bashkëthemeluesi i Short Edition, Christopher Sibieude. Ai beson se këto makineri ofrojnë diçka që pajisjet teknologjike në xhepat tanë nuk munden. “Smartfonët i kanë errësuar kufijtë midis jetës sonë profesionale dhe shpërqendrimeve”, tha ai. “Formati prej letre ofron një pushim nga ekranet e celularëve. Njerëzit mund të mos reagonin kaq fuqishëm ndaj makinerive tona gjashtë vite më parë, kur smartfonët nuk ishin bërë kaq esencial për të gjitha anët e jetës sonë”.
Franca është një shtet shkrimtarësh: në vitin 2013, një sondazh nga firma e kërkimit Ifop zbuloi se 17 për qind e popullatës së vendit kishte shkruar një dorëshkrim të një lloji të caktuar, ndonëse mund të mos i kishte publikuar. Short Edition, që aktualisht ka punësuar 11 persona, u ka ofruar shkrimtarëve amatorë mundësinë e publikimit falas që nga viti 2011. Uebsajti i kompanisë dhe aplikacionet kanë publikuar histori prej gati 10 mijë autorësh dhe më pas përdoruesit përzgjodhën historitë më të mira. Këto u bënë libra elektronikë, libra audio ose u printuan, në partneritet me kompanitë e mëdha. Tani shumica e historive popullore e gjejnë rrugën në makineritë në rrugë.
Sistemi është shumë konkurrues sipas Xavier Bray, një autor që ka publikuar histori në makineri. Tregimi i tij “La Forme” është një histori komerciale rreth një babai që ka filluar të bëjë stërvitje dhe do të kthejë edhe vajzën e tij të vogël në formë. Bray, që jeton në Grenoble, ka publikuar histori të shkurtra në Facebook prej disa vitesh deri kur dëgjoi rreth Short Edition. “Më formalizoi një hobi”, thotë ai. Autorët marrin 10 për qind të qirasë që i paguhet Short Edition, një përqindje që është e ngjashme me standardet e publikimit të librave në frëngjisht.
Pasi makineritë bënë debutimin e tyre publik në tetor, reagimi ndërkombëtar ishte tepër befasues. Në një mur në zyrën e tyre, një hartë e botës është mbuluar me yje të vogla që simbolizojnë secilin vend ku është publikuar artikulli rreth makinerive. “Brazil, Turqi, Australi, Gjermani, Kore”, thotë menaxheri i komunikimit për kompaninë.
Deri disa javë më parë, rreth 230 artikuj janë shkruar për makineritë në 38 vende të botës. “Ne nuk e menduam që do të kishte një entuziazëm të tillë, që sigurisht na gëzon”, shtoi Sibieude.
Një seri e vogël makinash tani po futen në prodhim vendas për katër klientë francezë. Një prej tyre, një kompani karburanti, po merr në konsideratë porositjen e qindrave. Spitalet, stacionet e trenit, aeroportet, parqet e lojërave, muzetë dhe kinematë kanë shprehur gjithashtu interes.
Për momentin, Grenoble mbetet i vetmi vend ku mund të gjesh këto makineri. Kryebashkiaku i qytetit, Eric Piolle, thotë se ai e sheh këtë nismë si një mënyrë për të ofruar më shumë kulturë për qytetarët e tij. Piolle fitoi njohje ndërkombëtare në vitin 2014 kur ndaloi reklamimin në rrugët e Grenoble. Për të, ata që ofrojnë historitë e shkurtra ofrojnë një tjetër lidhje mes njerëzve dhe qytetit.
“Imagjinata dhe fjala e shkruar janë rikthyer në hapësirat publike në vitet e fundit”,- thotë arkitektja urbane Corrine e pyetur për makineritë. Kjo i përngjan një praktike të printimit të poezive në muret e metrosë e kryer fillimisht në vitin 1986 në Londër, Paris, Nju Jork e gjetkë. Sipas arkitektes, nisma e tanishme është një pasuese e mirë.
*Burimi: New Yorker