“Race for the Cure”, Prishtina Mall “vishet” rozë në mbështetje të grave me kancer të gjirit
Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, në Prishtina Mall është vendosur një shtand simbolik; aktiviteti kryesor mbahet më 27 shtator në sheshin "Ibrahim Rugova"
Në Prishtina Mall është vendosur një shtand me bluza dhe produkte të tjera simbolike në ngjyrë rozë, në kuadër të aktiviteteve për muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe fushatës “Race for the Cure”. Qëllimi i kësaj nisme është mobilizimi i qytetarëve dhe rritja e vetëdijes për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kësaj sëmundjeje.
Nga ky aktivitet u është bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në mbështetje të grave të prekura nga kjo sëmundje, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve dhe diagnostikimit të hershëm.
Drejtoresha e organizatës “Race for the Cure”, Violeta Pirana, i ftoi qytetarët që më 27 shtator, në orën 11:00, t’i bashkohen aktivitetit kryesor në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, duke u regjistruar dhe duke blerë bluzat simbolike. Ajo tha se pjesëmarrja nuk është vetëm mënyrë për të ngritur vetëdijen, por edhe mesazh solidariteti për pacientet që po përballen me sëmundjen, të mbijetuarat dhe familjet e atyre që kanë humbur jetën.
Pirana theksoi se sa më tepër njerëz të marrin pjesë, aq më shumë motivim do të marrin të prekurit, dhe se fushata ka ndikuar që kontrollet të rriten, me efekt të madh në zbulimin e hershëm të sëmundjes.
Në mbështetje të kësaj kauze është edhe qendra tregtare Prishtina Mall. CEO i saj, Alvaro Costa, tha se qendra ka për detyrë të mbështesë kauza fisnike që prekin komunitetin dhe të kontribuojë në rritjen e dukshmërisë së tyre, duke theksuar se nuk është bashkëpunimi i parë me organizatën Rilindja/Renaissance.
Aktiviteti kryesor “Race for the Cure” do të mbahet më 27 shtator, nga ora 11:00, në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
Burimi: KosovaPress



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.