Raiçeviq priti kreun e Qendrës Kulturore “Rumija” nga Çikago: Diaspora, mbështetje e rëndësishme për zhvillimin e Tivarit
Kryetari i Komunës së Tivarit, Dushan Raiçeviq, u takua me kryetarin e Qendrës Kulturore “Rumija” nga Çikago, Suljo Nikeziq, me të cilin bisedoi për aktivitetet e shoqatave të diasporës dhe për ruajtjen e lidhjes me vendlindjen, siç njofton CdM, duke iu referuar njoftimit të Komunës së Tivarit.
Raiçeviq theksoi kontributin e madh që diaspora malazeze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jep për zhvillimin e përgjithshëm të Tivarit dhe të Malit të Zi, duke nënvizuar rëndësinë e përkushtimit të saj për ruajtjen e identitetit kulturor, të traditës dhe të lidhjes me shtetin amë.
Sipas njoftimit, shoqatat e mërgimtarëve nga Tivari kanë treguar shumë herë gatishmërinë për t’i ndihmuar bashkëqytetarët e tyre në mënyra të ndryshme, duke konfirmuar solidaritetin dhe lidhjen me qytetin e tyre, ndërsa shoqata si Qendra Kulturore “Rumija” e ruajnë këtë ndjenjë bashkësie dhe ua përcjellin brezave më të rinj.
Komuna e Tivarit njoftoi se do të vazhdojë të kultivojë marrëdhënie të ngushta me mërgimtarët, me mirënjohje që, ndonëse larg vendlindjes, ata mbeten pranë qytetit të tyre dhe e konfirmojnë vazhdimisht përkatësinë ndaj Tivarit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.