Rama dhe Beqaj në Shkozet, check-up-i falas, hap drejt mbulimit universal në shëndetësi
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, vizituan të martën qendrën shëndetësore në Shkozet, ku u njohën me ecurinë e check-up-it falas, që synon të evidentojë dhe parandalojë sëmundje me rrezikshmëri të lartë për jetën, të gjitha këto përmes analizave të realizuara me cilësi dhe standarde të larta.
Kjo qendër, që i shërben një popullsie prej rreth 20 mijë banorësh, pret çdo ditë qytetarë të interesuar për të kryer kontrollin falas, i cili po pasohet nga vizita falas edhe për personat e pasiguruar. Drejtori i kësaj qendre, Servet Hyra, informoi se ecuria e check-up falas po shkon shumë mirë dhe se rastet e zbuluara në varësi të shkallës së sëmundjes, kurohen aty ose i referohen mjekut specialist.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj shpjegoi hollësisht procesin e realizimit të check-up falas, i cili bëhet në mënyrë profesionale, sipas standardeve të mjekësisë bashkëkohore. Kjo ka dy avantazhe, tha Beqaj, një njohje të mirë të situatës së sëmundshmërisë dhe mundësi për mjekët që të vazhdojnë në mënyrë të shënjestruar.
Kryeministri Rama, nga ana e tij, u shpreh se me masat e ndërmarra në vijimësi po shënohet progres drejt arritjes së objektivit madhor të mbulimit universal në sistemin shëndetësor. “Me progresin që kemi bërë nuk kemi vetëm kontrollin bazë falas, por kemi dhe mjekun e familjes falas. Po të krahasojmë sot tarifat në spital për ata që janë të siguruar dhe ata që janë të pasiguruar diferenca është shumë e vogël. Pra, po shkojmë drejt projektit tonë. Analizat janë absolutisht të standardeve europiane”, u shpreh kryeministri Rama.