Rama dhe Zaev takohen në Maqedoni: Angazhim për intensifikim të bashkëpunimit ekonomik
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev mbrëmë në Shkup priti kolegun e tij shqiptar Edi Rama, bën të ditur Agjencia Informative e Maqedonisë (MIA).
Në takim u shpreh angazhimi për intensifikim të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe për sigurimin e kushteve për integrime euroatlantike në mbarë rajonin.
Sipas zyrës së shtypit të qeverisë maqedonase, Rama, i cili në Shkup merr pjesë në Samitin 100, gjatë takimit, uroi kryeministrin Zaev për kryerjen e zgjedhjeve lokale dhe demokratike.
“Rezultatet nga zgjedhjet ndihmojnë agjendën demokratike, si dhe mbështetjen e politikave reformuese që hapin perspektiva. Ato janë fitore e konceptit një shoqëri për të gjithë, që i bashkoi qytetarët. Do të bëjmë gjithçka që duhet që ta arsyetojmë besimin dhe të sigurojmë jetë cilësore për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, tha kryeministri Zaev.
Zaev dhe Rama konstatuan se Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të mira politike, pa çështje të hapura dhe se është kjo bazë e mirë për intensifikim të bashkëpunimit në drejtim të zbatimit të standardeve evropiane, bashkëpunimit ekonomik, si dhe sigurimit të kushteve për integrime euroatlantike të gjithë rajonit.
“Qeveria e Maqedonisë do të vazhdojë edhe t’i zhvillojë marrëdhëniet e mirafqinjësore përmes frymës miqësore, me çka edhe më tej do të kontribuojë për zhvillimin rajonal si dhe me qëllim të hapjes së perspektivave të NATO-s dhe BE-së, të cilat janë qëllime strategjike të shtetit”, deklaroi kryeministri Zaev.
Në takim janë shqyrtuar mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe është vlerësuar se pjesëmarrja e përbashkët në Samitin 100 në Shkup është dëshmi për vullnetin politik për zhvillim të bashkëpunimit rajonal ekonomik, për ndërlidhje të bashkësive të biznesit, investime të përbashkëta, rrjetëzim dhe ndërlidhje transportuese.
Është shprehur edhe pritje se BE-ja do t’i njohë dhe mbështesë angazhimet e shteteve nga rajoni për thellim të bashkëpunimit të nevojshëm rajonal dhe për integrim në BE, por edhe për nevojat e vetë qytetarëve nga rajoni.
Gjithashtu, në takimin e mbrëmshëm është arritur marrëveshje edhe që të intensifikohen aktivitetet për seancë të përbashkët të qeverive të Maqedonisë dhe të Shqipërisë në kohë më të afërt.
Sot, katër kryeministra nga rajoni do të jenë pjesëmarrës në panelin me temë “A mund të konkurrojë rajoni në tregun global?” në Samitin 100 që prej ditës së djeshme po mbahet në Shkup.
MIA raporton se është konfirmuar pjesëmarrja e kryeministrit të Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, kryetarit të Këshillit të ministrave të BeH, Denis Zvizdiq, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe të kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq.
Kryeministrat do të debatojnë edhe në temat e energjisë, ekonomive të bazuara në njohuri, për brendimin, për ekonominë digjitale dhe për strategjitë për lidhjen e rajonit dhe për nisma të përbashkëta në sferën e turizmit. Në Samit marrin pjesë mbi 150 biznes liderë nga Evropa Juglindore, ministra dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian. Lidhshmëria është temë kryesore e Samitit 100 në Shkup, gjegjësisht lidhshmëria në më shumë sfera dhe në nivele të ndryshme.